Dardan Krivaça në shpallje të akgjykimit 04.08.2023, FOTO: Aulona Alaj- KALLXO

Dardan Krivaça e Arbër Sejdiu do të gjykohen sërish nga i njëjti trup gjykues

Gjykata e Apelit më 23.02.2024 e ka kthyer në rigjykim rastin e vrasjes së Marigona Osmanit për të cilën akuzohen Dardan Krivaça e Arbër Sejdiu.

Për këtë vrasje, në shkallë të parë Dardan Krivaça u dënua me burgim të përjetshëm kurse Arbër Sejdiu për ndihmë në kryerjen e vrasjes u dënua me 15 vite burgim. Vendim i marrë ky nga trupi gjykues me kryetar Sahit Krasniqin dhe anëtarët Fitore Daci e Habib Salihu.

Kallxo.com mëson se po ky trup gjykues do të gjykojë sërish rastin edhe në rigjykim.

Këtë, për Kallxo.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Ferizajit, Gentiana Hoxha.

Ndërkaq e njëjta ka bërë të ditur se ende nuk është caktuar një datë për seancën e rigjykimit.

“Ju njoftoj se çështja në fjalë është kthyer në rivendosje dhe do të mbahet para trupit të njëjtë gjykues, njëherit nga zyra e gjyqtarit të çështjes jemi njoftuar se ende nuk është caktuar seanca” – tha Hoxha për Kallxo.com.

Kolegji i Apelit që rrëzoi aktgjykimin e shkallës së parë përbëhej prej kryesuesit Xhevdet Abazi, anëtarit Hashim Çollaku dhe gjyqtares referuese, Kadrije Goga- Lubishtani.

Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu akuzohen për vrasje të rëndë në bashkëkryerje.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Krivaça dhe Sejdiu e kanë goditur të ndjerën me një shkop në pjesë të ndryshme të trupit me ç’rast i kanë shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike duke shkaktuar vdekjen e viktimës.

Gjykimi për këtë rast filloi në korrik të vitit 2022, kurse seanca e fundit u mbajt të martën më datë 02.08.2023.

Drejtësisë iu deshën gati dy vjet nga vrasja e Marigona Osmanit që rastit të i jap epilog në shkallë të parë.

Më 22.08.2021 ishte njoftuar se një 18-vjeçare ishte dërguar pa shenja jete në spitalin e Ferizajt.

Në aktakuzën e Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com tregohet se si kamerat e sigurisë që kanë qenë të vendosura në banesën e të pandehurit Krivaça, ka bërë që Prokuroria të sigurojë prova të forta për netët para ngjarjes fatale e për mënyrën se si u organizua dhunimi, e më pas vrasja e 18-vjeçares. Sipas konstatimit të Prokurorisë, në korridor të banesës së të pandehurit ka pasur të vendosur një kamerë sigurie, e cila regjistronte 24 orë e që ka xhiruar edhe momente të ngjarjes.

“Regjistrimi ka kohën e saktë, kamera ka pamje nga dera e hyrjes së banesës dhe banjo, e njëjta ka pamje edhe të një pjese të derës së një dhome gjumi, si dhe një dhomë tjetër të cilën e kap vetëm një qosh, kjo e fundit edhe është dhoma ku janë kryer veprat penale” – përshkruhet në aktakuzë.

“Policia ka marr DVR, e njëjta është dërguar për ekzaminim, ku janë tërhequr pamjet për periudhën kohore prej shtatëdhjetë e dy orë dhe atë nga data 19.08.2021 ora 00:05 deri më 23.08.2021 ora 00:18” – përshkruan aktakuza e Prokurorisë, e cila detajon edhe kohën e saktë dhe veprimet e dy të pandehurve brenda banesës.

Në aktakuzë theksohet se Prokuroria e ka konsideruar videon të besueshme dhe ngjarja është regjistruar prej datës 19.08.2021.

“Ne e konsiderojmë videon të besueshme dhe të saktë, videoregjistrimet tregojnë se në fillim, konkretisht, më 19.08.2021, raportet në mes të pandehurit Dardan Krivaça dhe të ndjerës kanë qenë të mira, këto raporte fillojnë të përkeqësohen kur aty paraqitet i pandehuri Arbër Sejdiu, i cili vije në orën 16:18, së bashku me Dardanin, ku me vete ka një çantë me rroba, në orën 19:02, të pandehurit bisedojnë lidhur me kamerat, si dhe shikojnë se cilat pjesë të korridorit i kap kamera ku lëvizin në pjesë të ndryshme për të verifikuar se cilat pjesë të korridorit i kap kamera dhe vërehet se rolin apo fjalën kryesore për këtë e ka Arbër Sejdiu, në orën 19:56, Arbëri merr rrobat e tij dhe del nga banesa së bashku me Dardanin” – shkruhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Prokurori në aktakuzën e përpiluar, ka përshkruar se si është organizuar dhunimi e më pas vrasja e Marigona Osmanit.

“Më 21.08.2021, ora 02:40, Dardan Krivaça, pas mesnate deri sa është në banjë me të ndjerën Marigona Osmani, e godet me dorë në fytyrë,  04:52, dalin nga banesa, 09:53, i pandehuri Dardan Krivaça dhe e ndjera Marigona Osmani, kthehen ku vërehet se e ndjera nuk ka kontroll të plotë, i merren mendtë, 10:02, i pandehuri e dërgon në banjë të ndjerën Marigona Osmani, del në ora 10:14, ku vërehet se e njëjta reziston, mirëpo është kapur me duar dhe shtyhet me forcë drejt sallonit, 10:48, e dërgon me forcë në banjë, ku e ndjera është e zhveshur, ndërsa i pandehuri është veshur ku qëndrojnë deri në orës 11:09, kur dalin i pandehuri është zhveshur, dhe të ndjerën me dhunë e nxjerr nga banjë dhe e dërgon në dhomën e gjumit,  13:43, i pandehuri i cili është zhveshur i vendos kamerës një kapelë e cila mbulon pamjen deri në orën 19:57” – përshkruhet në aktakuzë.

Raportimet e KALLXO.com – LINK