Të akuzuarit në rastin “Toka” thonë të kenë pasur presion nga prokurorët ndërkombëtar

Procesi gjyqësor i njohur si rasti “Toka” në të cilin akuzohet Azem Syla dhe 17 persona të tjerë po vije drejt fundit. Ata akuzohen për tjetërsimin e pronave shoqërore.

Rasti “Toka” doli në shesh tetë vite më parë, ku tek në vitin 2024 të akuzuarit dhanë mbrojtën e tyre lidhur me këtë rast.

Azem Syla e Shaban Syla në seancën e së enjtes më datë 15.02.2024 përfunduan dhënien e mbrojtës. Kurse 13 të akuzuar të tjerë në seancën e së premtes me datë  16.02.2024 përfunduan këtë fazë të procedurës.

Ramadan Uka, Arton Vila, Avdyrrahman Brajshori, Ilaz Syla, Avni Maxhuni, Elheme Uka, Luminje Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi shfrytëzuan të drejtën të mbrohen në heshtje duke mos u deklaruar në pyetjet e palëve në procedurë.

Kurse Lubisha Vujoviq, Gazmend Gashi, Sabedin Haxhiu në seancën e mbajtur më 16.02.2024 u shprehën se do të deklarohen në pyetjet e mbrojtësve të tyre dhe të tjerëve.

Vujoviq gjatë dhënies së mbrojtjes tha se gjatë kohës kur ishte në paraburgim kishte presion nga prokurori Danillo Cacarelli, i cili i kishte thënë që të akuzonte Azem Sylën në këmbim të lirisë.

“Periudhën e paraburgut dua të nënvizoj se prokurori Danillo Cacarelli më ka bërë presion të madh, më ka dhënë konkretisht letër dhe më ka thënë që këtë {përmbajtjen nga letra} ta mbaj përmendsh dhe në të njëjtin moment kjo ka qenë në qershor 2016 në të njëjtin moment do të shkosh në shtëpi dhe do të japësh deklaratë nga Beogradi… Deklarata sa mua më kujtohet ka pas të bëjë që unë të akuzoj Azem Sylën këtë mbaje mend më ka thënë dhe eja para kamerave dhe do të jesh në të njëjtin moment i liruar për në shtëpi”- tha i akuzuari Vujoviq.

I akuzuari tha që nuk e ka pasur në dorë asnjëherë atë letër pasi që po të ndodhte ashtu në këtë seancë do ta prezantonte si provë në gjykim.

Ndërsa i akuzuari tjetër, Gazmend Gashi tha se prokurori i EULEX-it kishte ngritur aktakuzë pa kurrfarë baze vetëm pse ishte dhëndër i Nuhi Ukës.

“Më vjen keq qysh një prokuror i EULEX-it me ngrit aktakuzë pa kurrfarë baze, vetëm në bazë të supozimeve pa kurrfarë baze vetëm pse kam qenë dhandër i Nuhi Ukes”- tha Gashi.

I njëjti tha se është i dëmtuar nga ky proces pasi që nuk punon qe 8 vite, duke i konsideruar këto si dëme të pariparueshme.

Tutje mbrojtjen e tij e dha i akuzuari Sabedin Haxhiu i cili i’u përgjigj pyetjeve të mbrojtësit të tij, Tomë Gashi, prokurores Habibe Salihu dhe trupit gjykues në përbërje prej Arben Hotit, Mentor Bajraktari dhe Luti Shala.

Të akuzuarit Shpresim Uka, Ramadan Mavraj dhe Vidosav Novakoviq pritet të japin mbrojtjen në seancën e 20.03.2024.

Rasti ishte duke u gjykuar nga gjyqtarë të EULEX-it, por më pas lënda është bartur në duart e drejtësisë vendore.

Tetë vite pas, sistemi i drejtësisë nuk ka arritur ende që t’i vë pikën këtij rasti maratonik pasi që seancat në vazhdimësi janë shtyrë ose kanë dështuar të mbahen.

Së bashku me Azem Sylën janë të akuzuar 17 persona. Sipas organit të akuzës, të akuzuarit kanë lidhje në një formë ose tjetrën në rastin “Toka”.

Rasti numëron dhjetëra seanca të shtyra ose të dështuara që nga nisja e gjykimit për herë të parë.

Azem Syla dhe të tjerët akuzohen nga Prokuroria se si grup i organizuar kriminal kishin bashkëpunuar mes vete me qëllim që përmes falsifikimit të vendimeve dhe dokumenteve zyrtare t’i privonin Kosovës disa prona shoqërore.

Azem Syla në prill të këtij viti mbush 73-vjeç. Ai ishte arrestuar më 2016-tën, kur ishte 65-vjeçar.

Në këtë rast përveç Sylës të akuzuar janë edhe Artan Vila, Ramadan Uka, Avdyrrahman Brajshori, Shpresim Uka, Shaban Syla, Gazmend Gashi, Ramadan Mavraj, Ndue Palushi, Sami Maqedonci, Nyrtene Brajshori, Lumnije Sopjani, Elheme Uka, Lubisha Vujoviq, Avni Maxhuni, Sabedin Haxhiu, Ilaz Syla, Vidosav Novakoviq.

Prokuroria Speciale ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitos, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë është ngritur nga i njëjti prokuror, i cili akuzon 17 persona për pastrim të parave. Mirëpo kjo aktakuzë ka pushuar për shumicën e të akuzuarve kurse për Ilaz Sylën dhe Vidosav Novakoviqin, gjyqtari ka vendosur ta bashkojë procedurën me të akuzuarit e tjerë meqë është i njëjti rast.

Sipas Prokurorisë, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me proceset gjyqësore që kanë të bëjnë me rastin ‘Toka’ ju mund t`i lexoni duke klikuar në LINK