Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

'Vjedhja e Organizuar Tatimore' - Njëri i akuzuar mungoi e tjetri pa avokat, dështon seanca

Të akuzuarit për krim të organizuar, shmangie tatimore e vepra të ngjashme, Kadri Mustafa dhe Naman Pacolli u paraqitën në Gjykatën e Prishtinës për t`u ballafaquar me akuzat që rëndojnë ndaj tyre. Për dallim nga dy të akuzuarit, Lorik Jashari dhe mbrojtësi i tij Kushtrim Palushi, nuk ishin prezent duke pamundësuar mbajtjen e gjykimit.

Të njëjtit akuzohen sipas prokurorisë se kanë bashkëpunuar mes vete për të hapur kompani fiktive e duke regjistruar fatura fiktive gjoja se ka pasur shitblerje të mallrave mes kompanive.

Kadri Mustafa njoftoi gjykatën se është pa avokat pasi që sipas tij avokatja e cila ka qenë duke e përfaqësuar në këtë rast ka ndërruar jetë.

Në këto rrethana seanca e së mërkurës më datë 28.02.2025 nuk i plotësoi kushtet ligjore për të vazhduar tutje kështu duke e caktuar seancën e radhës më datë 02.05.2024.

Rasti është duke u gjykuar nga Valon Kurtaj – kryetar, me Valbona Musliu- Selimaj dhe Lutfi Gashin – anëtarë. Kurse aktakuzën e përfaqëson prokurorja Habibe Salihu.

KALLXO.com në vitin 2016 kishte transmetuar trilogjinë “Vjedhja e Organizuar Tatimore”. Në pjesën e dytë të kësaj trilogjie, Jashari kishte mohuar të ketë lidhje me të gjitha veprimet për të cilën e ngarkon aktakuza.

Sipas aktakuzës së 25.02.2014 të Prokurorisë Speciale, të pandehurit Lorik Jashari, Kadri Mustafa, Xh. M. dhe M. G., të cilët kanë ndërruar jetë kanë kryer veprën penale të krimit të organizuar.

Sipas prokurorisë, gjatë vitit 2007-2011 Lorik Jashari si kryesues i grupit të organizuar kriminal iu ka ndihmuar në regjistrimin e bizneseve “Flaka Com” në emër të Kadri Mustafës. Kurse për Xh. M., ishte regjistruar biznesi me emër “Loni Com”, ndërsa M. G. ka regjistruar biznes me emrin “Yllka Com”. Sipas Prokurorisë regjistrimi i këtyre bizneseve ishte bërë më qëllim që të merren me aktivitete kriminale duke përpiluar faktura fiktive gjoja se është bërë shitja- blerja e mallrave konkrete. Duke e dëmtuar sipas prokurorisë buxhetin e shtetit në dëm prej 198,707.17 mijë euro.

Gjithnjë sipas prokurorisë i pandehuri Lorik Jashari i ka kontaktuar personat e tjerë të akuzuar, duke qenë se ka aftësi të kontabilitetit dhe i ka udhëzuar personat si të hapet biznesi, si të veprohet në biznes, duke u treguar në detaje me aktivitetet kriminale.

Jashari sipas prokurorisë thuhet se pasi që janë udhëzuar tashmë të akuzuarit e tjerë për regjistrimin e bizneseve, ju ka siguruar shitës-blerës fiktiv. Tutje kishte përgatitur 42 faktura fiktive personalisht në vlerë prej mbi 360 mijë euro.

Me këto veprime të akuzuarit janë ngarkuar me veprën penale të krimit të organizuar. Kurse për Jasharin edhe për shmangie nga tatimi dhe për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Tutje aktakuza thotë se Jashari si pronar i kompanisë “Lori” në vitin 2008 e ndërron emrin e kompanisë në atë të “Lorlan” SH.P.K.. Kështu i njëjti gjithnjë sipas prokurorisë pranon para nga të hyrat e bizneseve fiktive “ Flaka Co” dhe kompania “Cini Comerce” dhe deponimet kesh në vlerë prej mbi 600 mijë euro, të hyrat nga shitblerja e banesave në vlerë prej mbi 300 mijë.

Prokuroria thotë se Lorik Jashari ka bërë shpëlarje të parave të fituara si më lartë duke e ndërtuar një objekt banesor shumëkatësh në vlerë prej afërsisht gjysmë milioni euro.

Pikë tjetër e akuzës për shmangie tatimi e ngarkon të akuzuarin Kadri Mustafa  i cili si pronar i kompanisë “ Flaka Com” e ka dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej afërsisht 5 mijë euro duke mos deklaruar të ardhurat dhe fitimin e saktë të kompanisë.

I akuzuari tjetër Naman Pacolli akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të autorizimeve ekonomike.