Një poster me fotografitë e refugjatëve të deportuar, Foto: Balkan Insight

Gjykata e Strasburgut do të vendosë për deportimet e Malit të Zi gjatë luftës

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut do të vendosë nëse ka baza ligjore për një padi kundër Malit të Zi në një çështje që ka lidhje me deportimet gjatë luftës të 83 refugjatëve boshnjakë, të cilët më vonë u vranë.

Mali i Zi ka kohë deri në muajin e ardhshëm për t’iu përgjigjur një peticioni nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, pasi u padit nga familjet e boshnjakëve, kryesisht myslimanë, të cilët u deportuan në vitin 1992 dhe më vonë u vranë në Bosnje.

Për të vendosur për bazën ligjore për procedurat kundër Malit të Zi, gjykata i kërkoi shtetit të trajtojë akuzat e bëra nga familjet e boshnjakëve të vrarë që sepse autoritetet malazeze nuk e hetuan si duhet krimin kundër boshnjakëve, të cilët kishin statusin e refugjatëve në atë kohë.

Padia, e ngritur në vitin 2013, tha gjithashtu se hetimi në Mal të Zi u zhvillua pa entuziazëm, nuk përfshinte të gjithë ata që ishin përgjegjës për krimin, përfshirë zyrtarët e lartë, pa “dijeninë, pëlqimin dhe mbështetjen” e të cilëve nuk do të mund të ishte realizuar arrestimi nga policia dhe ekstradimi i refugjatëve.

“Hetimi u iniciua për të gjetur një arsye për ndërprerjen e procedurave civile të iniciuara nga familjet e viktimave për të marrë kompensim dhe jo për të vënë drejtësi,” thotë padia.

Human Rights Action, një OJQ që përfaqëson familjet, tha të mërkurën se kërkesa nga Strasburgu nënkupton se pengesa e parë në shqyrtimin e meritave të padisë është kaluar me sukses.

“Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut i ka bërë thirrje gjithashtu Bosnjës të paraqesë komente me shkrim pasi që familjet janë shtetas të saj,” tha OJQ-ja.

Më shumë se 60 boshnjakë dhe disa serbë etnikë u ndaluan në mënyrë të paligjshme dhe u sollën në selinë e policisë në qytetin e Herceg Novit, nga ku u deportuan me autobusë në territorin e kontrolluar nga serbët e Bosnjës më 25 dhe 27 maj 1992.

Pas deportimeve, shumica e boshnjakëve u vranë. Eshtrat e tyre nuk janë gjetur ende.

Nëntë ish-policë malazezë të akuzuar për deportime u liruan nga akuzat në nëntor 2012, sepse Gjykata e Lartë e Podgoricës vendosi që ndërsa arrestimet ishin të paligjshme, ato nuk përbënin një krim lufte dhe nëntë burrat nuk ishin palë e ndonjë ane në luftën e Bosnjës.

Grupet e të drejtave e kritikuan ashpër gjyqin, jo vetëm për shkak të lirimeve nga akuzat, por edhe për shkak të mosparaqitjes së prokurorisë për çështjen e përgjegjësisë komanduese në rastet e krimeve të luftës.

Raporti i fundit i Komisionit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor, i publikuar në prill, theksoi pengesat e vazhdueshme për ndjekjen penale të krimeve të luftës dhe kompensimin e viktimave të konflikteve në Malin e Zi.

Raporti tha se deri në fund të vitit 2017, 154 vendime mbi kërkesat për kompensim ishin përfunduar dhe një shumë totale prej 1.48 milion eurosh u ishte paguar viktimave të luftës dhe të afërmve të tyre.

Raporti gjithashtu i kërkoi Malit të Zi të kishte një qasje më proaktive në ndjekjen e akuzave për krime lufte.

Ai tha se nga tetë raste të reja krimesh lufte të hapura nga Zyra e Prokurorit Special të Malit të Zi, gjashtë janë ende në fazën e hetimeve paraprake. Për shkak të mungesës së provave, akuzat janë rrëzuar në një nga këto raste.

“Vendimet gjyqësore të arritura deri tani kanë pasur gabime ligjore dhe mangësi në zbatimin e ligjit ndërkombëtar humanitar,” tha raporti, duke shtuar se akuzat e përgjegjësisë komanduese, bashkëkryerjes, ndihmës dhe inkurajimit deri më tani nuk janë sjellë nga prokurorët malazezë.