Foto-ilustrim

Vijon beteja gjyqësore e kryeimamit të Pejës, Enes Goga, me gazetarë dhe media

Në Gjykatën e Prishtinës sot është mbajtur seanca përgatitore për rastin ku kryeimami i Pejës, Enes Goga, ka paditur gazetarin Visar Duriqi, “Media Works” (e cila në tekstin e padisë referohet si pronare e të drejtave autoriale e gjithë materialit dhe fotografive të portalit “Express”), gazetën “Zëri” dhe gazetën “Bota Sot”.

Pretendimet e paditësit janë se të lartcekurit kishin shpifur dhe fyer ndaj tij përmes disa shkrimeve të publikuara.

Ekipit të KALLXO.com iu pamundësua monitorimi i kësaj seance me anë të një vendimit të marrë nga gjyqtarja e rastit, Rrezarta Sylejmani Voca, sepse seanca do të zhvillohej në zyrë dhe jo në një gjykatore. Kjo gjë, sipas aryetimit të saj, nënkuptonte mungesë të hapësirës për pjesëmarrje të dikujt tjetër përpos subjekteve të procedurës.

Pas përfundimit të seancës u deklarua vetëm përfaqësuesi i gazetarit Visar Duriqi dhe gazetës “Express”, Lekë Morina.

Ai foli për pretendimet e palës paditëse kundër klientit të tij.

“Pretendimet e palës kundërshtare janë lidhur me disa artikuj që janë publikuar në vitin 2014 atëherë kur lufta në Siri ka qenë një temë mjaft e përhapur në gjithë botën dhe janë bërë raportime nga gazetarët investigativë të Kosovës lidhur me këtë temë dhe këto raportime kanë përfshirë edhe palën paditëse” – sqaroi Lekë Morina.

Ai e cilësoi padinë e kryeimamit të Pejës të tipit që ka për qëllim frikësimin e gazetarëve.

“Qëndrimi jonë është që kjo dhe padi të tjera që janë paraqitur para mediave të tjera janë padi që hyjnë në kuadër të padive SLAP, që janë padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike, d.m.th. që kanë qëllim frikësimin e gazetarëve apo frenimin e tyre nga raportimi lidhur me çështjet e interesit publik” – tha Lekë Morina.

Ai tha se padia është abuzive dhe e pabazuar.

“Përshtypja jonë dhe qëndrimi jonë është që padia është e pabazume dhe abuzive, këtë e kemi përmendur edhe në seancën e sotme” – theksoi Lekë Morina.

Duke dalë nga Gjykata u panë edhe imami Enes Goga me përfaqësuesin e tij, Durim Osmani.

Shkurtimisht avokati i tij tha se nuk mund të komentojë asgjë lidhur me këtë seancë.

Edhe përfaqësuesja e “Gazetës Zëri”, avokatja Iliriana Osmani Serreqi, vendosi të mos deklarohej.

Kurse për palën e katërt të paditur, përkatësisht gazetën “Bota Sot”, siç kishte kishte ndodhur edhe në shqyrtimin përgatitor të herës së kaluar, nuk ka qenë prezent askush.

Padia fillimisht ishte paraqitur në vitin 2014.

Por në vitin 2017 Gjykatës së Prishtinës i ishte paraqitur parashtresë, ku mes tjerash ishin tërhequr disa nga pretendimet për shpifje dhe fyerje të palës paditëse.

“Me parashtresën e vitit 2017 janë hequr pothuajse gjysma e pretendimeve” – ka thënë avokati Durim Osmani.

Ai gjithashtu ka treguar se përse vlera e kontestit është përcaktuar të jetë 10,000 Euro.

“Më shumë se 10 000 euro kontestet e shpifjes nuk gjykohen kjo për shkak të kërkesave të Gjykatës së Strasburgut që të mos cenohet liria e shprehjes. Ndaj dhe ne do ta zvogëlojmë kërkesën nën 10 000 ose pak mbi  10 0000” – është deklaruar ai.

Çka përmban padia?

Në padinë e ushtruar nga kryeimami i Pejës, Enes Goga, përmes përfaqësuesit të tij, Durim Osmani, ndaj të paditurve: Visar Duriqi – në cilësinë e gazetarit të “Gazetës Express, “Media Works”, gazeta “Zëri”, gazeta “Bota Sot” është bërë kërkesë për kompesim të dëmit moral.

Në padi thuhet se ato që paditësi i konsideron shpifje dhe fyerje e sulme mediatike përveç që e kanë dëmtuar reputacionin e tij i kanë shkaktuar bashkëshortes së tij, T.G. “goditje stresuese” pas të cilave, siç përshkruhet në shkresa, asaj i është dashur t’u nënshtrohet kontrolleve mjekësore dhe terapisë. Dhe, për pasojë, përmendet se të njëjtës i janë dashur 15 ditë pushim.

Pretendimet kundër gazetarit Visar Duriqi

Kryeimami i Pejës, Enes Goga, e akuzon gazetarin Visar Duriqi se në shkrimin e datës 28 gusht 2014 të quajtur “Merrini seriozisht wahabistët shqiptarë” ka tentuar ta inkriminojë pa asnjë bazë ligjore në vepra penale.

Sipas padisë, në këtë shkrim gazetari e kishte etiketuar si “wahabist” Enis Gogën, ndërkohë që në anën tjetër wahabizmin e kishte shpjeguar si një rrymë ideologjike fetare që përdor aparatin e dhunës, që ka rrezikshmëri indoktrinuese dhe që përdor krimin politik.

Pjesë e padisë ndaj Visar Duriqit janë edhe konstatimet e këtij të fundit në shkrimin e njëjtë, ku ai ka vlerësuar se Enes Goga është zgjedhur kryeimam i BIK-ut paligjshëm dhe i ndikuar politikisht –  konstatime të cilat paditësi i ka cilësuar shpifje publike.

Imami gjithashtu konsideron se ai pa asnjë provë është akuzuar për krim të organizuar, drogë, kampe të rekrutimit, dhunë fizike nga gazetari në shkrimin e botuar në gazetën “Express” me titull “Inteligjenca Ndërkombëtare: Wahabistët e Pejës merreshin me haraç e drogë – kishin edhe kampe rekrutimi”.

Sipas padisë, në mënyrë të njëjtë pa asnjë provë gazetari e ka akuzuar kryeimamin Enes Goga përmes postimeve në rrjetin social Facebook për ekstremizëm fetar, për nxitje në luftë fetare (xhihad) dhe dhunim të varrezave. Por, pretendimet lidhur me shkrimet në Facebook në parashtresën e mëvonshme janë tërhequr.

Pretendimet kundër “Media Works”

Kryeimami Enes Goga me anë të së njëjtës padi e ka akuzuar gazetën “Express” se përmes shkrimit të publikuar në faqën e saj zyrtare me titull “Nëna e kryeimamit radikal, Enes Goga pa mbulesë”, e ka fyer paditësin duke e quajtur “radikal” si dhe e ka “përlloqur” imazhin e familjes së tij, duke ia publikuar fotografinë e nënës së tij. E fakti se në shkrim është potencuar se nëna e Enes Gogës nuk është e mbuluar në padi cilësohet si përdorim i “ gjuhës vulgare”.

Pjesë e padisë kundër kësaj gazete është edhe postimi i këtij mediumi të shkruar më 27 shtator 2014, ku, sipas shkresës, gazeta e inkriminon paditësin dhe Naim Tërnavën përmes pretendimit se ata në vitin 2012 kanë bërë nxitje për terrorizëm – duke bërë thirrje që të luftohet në Siri.

Akuza tjetër për shpifje ndaj këtij mediumi ka të bëjë me shkrimin ku shkruhej se kryeimami i Pejës kishte zhvilluar takim privat me të arrestuarin për terrorizëm, Muhamed Hajrizi, i cili ceket të ketë qenë i arrestuar për pjesëmarrje në organizata terroriste.

Sipas demantimit të dhënë në padi takimi në fakt kishte qenë një tubim familjar, ku Enes Goga kishte marrë pjesë dhe nuk e kishte organizuar ndaj nuk merrte përgjegjësi për të ftuarit.

Përmes padisë edhe shkrimi i datës 25 gusht 2015 me titull “Enes Goga – Harrojeni Islamin tradicional” është konsideruar tendencioz dhe i nxjerrë jashtë kontekstit. Këto dy pretendime po ashtu janë tërhequr në parashtresën e vitin 2017.

Pretendimet kundër gazetës “Zëri”

Kryeimami përmes padisë pretendon se me anë të gjuhës ironizuese “Zëri” e ka nënçmuar dhe fyer personalitetin e tij në shkrimet me tituj “Enes Goga si sheik në xhaminë e Devollëve” dhe “Kryeimami i Pejës si Shehrezadia”.

Pretendimet kundër gazetës “Bota Sot”

Kryeimami pretendon se pa bazë edhe gazeta “Bota Sot” përmes një shkrimi të 2014-tës e kishte inkriminuar për nxitje të terrorizmit, përkatësisht për thirrje që të luftohet në Siri, me titull “A është kjo videoja që inkriminon Gogën dhe Tërnavën?’.

Kërkesat e kryeimamit Enes Goga

Përveçse ka kërkuar që të vërtetohen pretendimet e tij për shpifje dhe fyerje nga ana e të paditurve, kryeimami i Pejës po ashtu ka paraqitur një varg kërkesash për kompensim.

Ai ka kërkuar që Gjykata t’i detyrojë katër subjektet e paditura që secili veç e veç t’ia paguajë 30,000 euro kompensim në emër të dëmit.