Foto: Kallxo.com

Fatmir Limaj flet për platformën e miratuar të dialogut

Bashkëkryesuesi i delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Fatmir Limaj, tha sot se platforma e cila mori bekimin e liderëve të institucioneve teë Kosovës “është në përputhje me interesat e Kosovës”.

Në një deklaratë pas takimit me drejtues të institucioneve, Limaj tha se ky dokument pritet që sot pasdite të votohet nga nëtarët e delegacionit dhe më pas të dërgohet në Kuvend për shqyrtim nga ana e deputetëve.

“Përfundimisht platforma ka marrë formën finale. Sot kemi pasur takim me kryeministrin, presidentin, kryeparlamentarin dhe të tretë kanë dhënë mbështetje, në ora 3 pritet të votohet”, tha Limaj

“Shpresojmë që edhe parlamenti do të kontribuojë në këtë platfomë. Nuk besojmë që nuk do të përkrahet sepse platfoma është në përputhje me interesant e Kosovës”, shtoi Limaj.

Më herët, edhe kryeministri Ramush Haradinaj foli ëpr platformën e miratuar.

“Sapo e përfunduam një takim me delegacionin, përfundimisht kemi një dakordim për platformën. Platforma buron nga kushtetuta, i obligohet kushtetutës së vendit dhe është një garancë e mirë për Kosovën. Nuk kemi arritur të diskutojmë për temën e taksës”, tha Haradinaj pas takimit me delegacionin i cili u mbajt sot paradite.

Haradinaj i ka ftuar edhe partitë opozitare që ta mbështesin këtë dokument.

“Unë i dhash përkrahjen, dje kam pasur mundësinë ta diskutoj me grupin parlamentar të AAK-se. LDK dhe VV mund ta japin kontributin e vet duke e përkrahur platformën”, tha Haradinaj.