Nga një seancë e gjykimit për tenderin e KEK-ut | Foto: KALLXO.com

Drejtori Financiar i KEK-ut në Gjykimin për Tenderin

Duke dhënë dëshminë e tij, Bytyqi u mundua të sqarojë çështjet të cilat donte t’i dinte prokurori i rastit Drew Engel.

Bytyqi para gjykatës tha se e di që më herët kompania “Besa Security“ ka punuar me KEK-un.

“ E di që ‘Besa’ ka pasë një kontratë për siguri fizike me KEK-un,” tha Bytyqi.

Kjo kompani ishte ankuar në lidhje me tenderin 6 milionësh për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut, të cilin e fituan kompanitë WDG dhe Security Code.

Dëshmitari Sali Bytyqi që nënshkroi këtë kontratë u pyet nga prokurori se a kishte pasur kontakte me ndonjë subjekt para atij nënshkrimi.

“Unë kam nënshkruar vetëm anën financiare. Unë nuk e di se kush e ka sjellë atë kontratë për nënshkrim, sepse ato lihen te asistenti dhe nuk mund ta di sepse brenda një jave ne nënshkruajmë me dhjetëra kontrata. Nuk e mbaj mend se a kam pasur ndonjë kontakt me dikë, kam mundur të kem kontakt me ndonjë zyrtar të prokurimit,” tha dëshmitari.

Po ashtu prokurori Drew Engel kërkoi të sqarime se a ka pasur ndonjë diskutim në mes dëshmitarit dhe të akuzuarit të këtij procesi Driton Pruthi për ndonjë problem në lidhje me këtë kontratë, për ndonjë ankesë nga “Besa Security”, Organi Shqyrtues i Prokurimit ose Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik.

“ Nuk e kujtoj,” ishte përgjigja e shkurtër e dëshmitarit.

Bytyqi gjatë dëshmisë së tij tha se në kohën për të cilën i shtroheshin pyetje nga prokurori nuk ka pasur ndonjë kontakt me drejtorin menaxhues të KEK-ut ngase  sipas tij drejtori atëherë ishte në udhëtim zyrtar jashtë vendit.

Në këtë proces gjyqësor janë të akuzuar shtatë persona, mes tyre drejtori ekzekutiv i KEK-ut Arben Gjukaj, kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku dhe ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik  Hysni Hoxha.

Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku akuzohen për veprën penale mashtrim, ish- drejtori i Prokurimit, Driton Pruthi; drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj; ish-kreu i OSHP-së, Hysni Hoxha akuzohen për keqpërdorim të pozitës ose autorizimit zyrtar, ndërsa kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për shtytje në keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Azem Duraku akuzohet për nxitje në keqpërdorim.

Hetimet lidhur me këtë rast kishin filluar më 5 tetor 2012, ndërsa aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015.

KALLXO.com është duke raportuar në vazhdimësi për këtë proces.

Për tenderin 6 milionësh të KEK-ut që u fitua nga njerëz të afërt me kryetarin e Skenderajt Sami Lushtakun, Gazeta Jeta në Kosovë shkroi në prill të 2014-ës.

Tender Milionësh për Ish-Truprojën dhe Nipin e Sami Lushtakut