Tahiri (AAK): KEK-u është kampion i tenderëve njëburimor

Shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri thotë se kontratat njëburimore janë problematike, sepse përmes tyre bëhet lidhja e shkurtër mes nivelit politik dhe organit kontraktues.

Sipas Tahirit, kontratat njëburimore duhet të bëhen vetëm në rast se ka ndonjë emergjencë.

“Pse është problem kontraktimi një burimor? Sepse është lidhje e shkurtër mes nivelit politik dhe organit në administratë që është kontraktues me një operator privat. Lidhja e shkurtër ka logjikë vetëm në qoftë se rrezikohet siguria kombëtare. Nëse ka një emergjencë duhet me shku me kontraktim njëburimor, por nuk ka logjikë dhe shpjegim nëse raporti që e kemi na tregon se janë 781 kontrata, që përfshijnë edhe aneks kontratat në kontraktimet njëburimore”- ka deklaruar Tahiri.

“Në rezolutën që e ka propozuar LDK-ja po kërkohet që këta ministra të vijnë dhe të raportojnë se mbi çfarë baze dhe mbi çfarë racionaliteti i kanë nënshkruar këto kontrata njëburimore, për shkak se dyshimi është i bazuar-  këtu mundet me pasë subjekt të korrupsionit”- shtoi ai.

Deputeti i AAK-së ka deklaruar se Korporata Energjetike e Kosovës është kampion i tenderëve njëburimor.

“Tenderët njëburimor në vitin 2022 kanë shënuar rritje të madhe. Në fakt kampion i tenderëve njëburimor është KEK-u. Aty na ka dalë dyshimi. Aty po ndodhë hetimi dhe aty është një proces hetues për këtë çështje”- tha Tahiri.

Ai kërkoi që Qeveria e Kosovës të raportojë me shkrim në mënyrë të saktë se pse i kanë lidhur këto kontrata.

Kuvendi i Kosovës është mbledhur në seancë të jashtëzakonshme me pikën e vetme të rendit të ditës: “Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti”.