Dëshmi e të Dëmtuarit në Gjykimin për Tenderin

Dëshmitari tha se “Besa Security” nuk ishte e kënaqur me vendimin e ekspertit shqyrtues, ngase ai sipas Hasanit nuk i kishte marrë parasysh pikat e ankesës.

Ai tha se një kopje e mendimit të ekspertit  i është dhënë “Besa Security”, ndërsa tregoi  se kompania i ka kthyer e-mail OShP-së duke kërkuar seancë kryesore për ankesën e saj, me arsyetimin se nuk pajtohej me mendimin e ekspertit.

Granit Hasani tha se në seancën kryesore ankesën e “Besa Security” për tenderin e sigurimit të objekteve të KEK-ut e ka shqyrtuar një panel i Organit Shqyrtues të prokurimit në krye me Hysni Hoxhën dhe dy anëtarë tjerë.

“Ne kemi kërkuar që ‘Besa Security’ të vlerësohet me 10% të pikëve për sistemin e alarmit duke u bazuar në dosjen e tenderit si dhe për çështjen e licencave për Security Code dhe WDG me ç’rast kemi paraqitur edhe dëshmi nga MPB-ja.  Këto kanë qenë dy çështjet kryesore, ka pasë edhe çështje te tjera që shihen në vendimin e OShP-së.

Por sipas tij OShP-ja ose atë ditë, ose një ditë më vonë ka marrë vendim që për këtë ankesë e mbështet mendimin e ekspertit shqyrtues.

Hasani tregoi më pas se “Besa Security” ishte ankuar në Gjykatën Supreme dhe i kishte shkruar KEK-ut dhe bordit të tij, gjë e cila sipas dëshmitarit e kishte vonuar nënshkrimin e kontratës për sigurimin e objektit nga drejtori menaxhues për 3 muaj.

“Unë ndihem se është dashur ta marrim kontratën pasi që u dashtë të  vlerësohet pjesa për alarmet, pasi qe i kemi përmbushur të gjitha kushtet,” tha Hasani.

Ai tha se në këtë tender “Besa Security” është dëmtuar, ndërsa bëri të ditur se miqtë i kanë thënë që pasi kjo çështje ka shkuar në gjyq, “Besa Security” do ta ketë problem të marrë më tenderë nga institucionet publike.

10:16

Hasani po flet për tenderin 6 milionësh të sigurimit të objekteve të KEK-ut dhe rrjedhën ankesës së kompanisë që drejton.

Për këtë tender akuzohen drejtori i KEK-ut Arben Gjukaj dhe kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku.

Të akuzuar janë edhe ish-kreu i OShP-së Hysni Hoxha, ish-drejtori i prokurimit Driton Pruthi, Esat Tahiri, Milazim Lushtaku e Azem Duraku.

Gjukaj, Hoxha e ish-drejtori i prokurimit Driton Pruthi akuzohen për keqpërdorim të pozitës ose autorizimit zyrtar, ndërsa kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për shtytje në keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Azem Duraku akuzohet për shtytje në keqpërdorim, ndërsa Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku për mashtrim.

Hasani dëshmoi edhe më 7 mars, kur dëshmia e tij zgjati 7 orë.

http://kallxo.com/deshmia-7-oreshe-e-drejtorit-te-besa-security/