Dosja e Prokurorisë, si u grabitën mbi 996 mijë euro nga automjeti që i transportonte ato

Prokuroria e Gjilanit të enjten më datë 14.03.2024 ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër 6 personave me inicialet D. G., M. L., K. Xh., A. B., V. S. dhe N. M.

Të njëjtit akuzohen se më datë 18.11.2021 kanë grabitur 996,271.24€ dhe 46,780.00 dollarë amerikan (USD) në dëm të të dëmtuarës ‘ProCredit’, me seli në Prishtinë dhe kompanisë “Besa Security”, me seli në Prishtinë.

Grabitja sipas prokurorisë ka ndodhur në rrugën regjionale Gjilan-Prishtinë, në fshatin Parallovë, komuna e Novobërdës.

  1. L. sipas prokurorisë, grabitjen e kishte kryer duke qenë menaxher i “Besa Security”.

Prokuroria me aktakuzën e saj pretendon se të lartcekurit kanë kryer veprat penale:  Grabitja, Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse.

Sipas Prokurorisë të dyshuarit veprimet e tyre i kanë bërë në bashkëveprim, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete.

Veprimet e secilit të akuzuar për grabitjen 

I akuzuari me inicialet D. G., sipas prokurorisë ka siguruar dhe vënë në qarkullim automjetin e tipit ‘’Volvo’’, ndërsa i pandehuri M. L., si menaxher në Kompaninë “Besa Security’’, kishte përgatitur automjetin special për transportimin e parave të gatshme.

Menaxheri i akuzuar, sipas prokurorisë pa dijeni të pronarit të kompanisë këtë automjet e kishte dërguar në autoservis, pronar i të cilit është i pandehuri  K. Xh., aty bashkë me të pandehurin K. Xh., ia kishin vendosur pajisjen elektronike për çaktivizim të motorit nga distanca përmes teledirigjimit.

Kurse, në ditën kritike të pandehurit A. B., V. S. dhe N. M., automjetin ‘’Volvo’’ e kishin fshehur në fshatin Parallovë, ndërsa me automjet ‘’Zafira’’ i vihen pas në përcjellje automjetit ‘’Fiat’’, i cili kishte grumbulluar paratë nga automatet bankare për t’i dërguar në ‘Pro Credit’ në Prishtinë.

Dosja thotë se me të arritur në fshatin Parallovë, e kishin ndalur me teledirigjim dhe të njëjtit të maskuar dhe të armatosur me armë të gjata, fillimisht gjuajnë me armë, pastaj shoferin dhe tre punëtorë tjerë i nxjerrin jashtë, marrin nga automjeti 10 çanta të mbushura me para, i vendosin në automjetin e tyre dhe shkojnë tek vendi ku e kishin lënë automjetin ‘’Volvo’’, ndërsa automjetin ‘’Zafira’’ e kishin djegur.