Deputetët Sejdiu e Zeka propozojnë mbylljen e Agjencisë së Privatizimit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës po diskutojnë lidhur me shqyrtimin e Raportit vjetor të punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2017.

Deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu ka deklaruar se është i lumtur që në Kuvend mes deputetëve të pozitës dhe opozitës ka qëllim të përbashkët lidhur me AKP-në.

“Shitja  e aseteve të Kosovës nuk na ka sjell investitorë të huaj. Më gëzon fakti që jemi në një pikë që pajtohemi të gjithë, pajtohemi që raporti është korrekt. Më pëlqej ideja që mund të nisim ta mbyllim AKP-në, ose ta ndryshojmë ligjin. Hajdeni e mbyllim këtë monstrum ekonomik”, tha Sejdiu,.

Ndërsa edhe deputeti i Nismës Social Demokrate, Milaim Zeka u shpreh se Agjencia Kosovare e Privatizimit duhet të mbyllet.

“Me pas fuqi magjike këtë agjencion e kisha shkri krejt. As nuk e përkrahi dhe as nuk e votoj këtë raport të këtij agjencioni. Shumë vrasje janë bërë në Kosovë për shkak të këtij agjencioni”, tha Zeka.

Ndërsa, deputetë të AAK-së dhe Bilall Sherifi nga Nisma Social demokrate kanë kërkuar që në këtë seancë të shqyrtohet raporti vjetor dhe si i tillë të votohet.