Gjykimi për shpifje, merret vendimi për rastin mes Milaim Zekës dhe nipit të Jakup Krasniqit

“E luan rolin e dinosaurit por e bën jetën e zvarranikut” – kështu ishte titulli i postimit të Arian Krasniqit më 2019 që çoi në gjyq për shpifje atë dhe Milaim Zekën.

E lidhur me këtë betejë juridike të iniciuar nga Milaim Zeka si paditës, Gjykata e Prishtinës përmes aktgjykimit të nxjerrë me 1 shkurt e ka vlerësuar kërkesëpadinë në tërësi si të pabazuar.

Me këtë rast janë është refuzuar kërkesa që të vërtetohet se deklarata e të paditurit e bërë në rrjetin sociale Facebook me datë 1 prill 2019 përbën shpifje ndaj Milaim Zekës.

Gjithashtu gjykata e ka refuzuar kërkesën që Arian Krasniqi të kërkojë falje për deklaratën e bërë dhe të premtojë se nuk do ta përsërisë më.

Milaim Zeka gjithashtu kishte kërkuar në mënyrë simbolike 1,000 euro dëmshpërblim nga i padituri për deklaratat e bëra.

“Pavarësisht faktit se deklaratat i kanë shkaktuar vuajtje shpirtërore jo vetëm paditësit po edhe familjes së tij dhe dëmit të madh, kërkesën për kompensim financiar e parashtrojmë sot në vlerë prej 1,000 eurove, kjo nga shkaku se qëllimi i padisë nuk është dëmtimi i të paditurit por preventim në mënyrë që ai të mos veprojë sikur në rastin e postimit të tij në Facebook” – ishte shprehur avokati i Milaim Zekës, Faton Qirezi në seancën përgatitore.

Por as këto 1,000 euro përkitazi me aktgjykimin nuk do t’i realizoj.

Kurse sa i përket shpenzimeve procedurale gjykata ka vendosur që secila palë t’i bartë shpenzimet e veta.

Në aktgjykim nuk është kontestues fakti se Arian Krasniqi në profilin e tij në Facebook ka bërë postimin në fjalë, dhe se i njëjti është shpërndarë nda dy portale “Bote Pres” dhe “Indeks Online”.

Por, sipas arsyetimit të ofruar nga gjyqtari Shefki Berisha postimi në fjalë nuk ka elemente të shpifjes dhe fyerjes.

E këtë aktgjykim gjyqtari e ka mbështetur jo vetëm në Ligjin kundër Shpifjes dhe Fyerjes, Kushtetutën e vendit, por edhe në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut si dhe praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në arsyetimin e aktgjykimit gjyqtari ka përfshirë konstatimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut e cila ndër të tjera ka përcaktuar se liria e shprehjes “gjen zbatim … edhe për ato [deklarime] që ofendojnë, tronditin ose shqetësojnë shtetin ose çdo grup të popullsisë. Të tilla janë kërkesat e pluralizmit, tolerancës dhe mendjes së hapur, pa të cilat nuk ka një shoqëri demokratike”

Tutje Gjykata ka elaboruar se i padituri kishte postuar në rrjetin e tij social një shkrim, me karakter kritik për paditësin Milaim Zeka, i cili në atë kohë ka qenë deputet i kuvendit, nga partia Nisma Socialdemokrate.

Meqenëse, ka vlerësuar gjykata, në rastin konkret kemi të bëjmë me një person i cili kishte një post publik, përkatësisht ishte përfaqësues i popullit, gjykata ka konsideruar se i njëjti i ekspozohet më shumë vëzhgimit dhe kritikës se publikut dhe për këtë duhet të ketë një shkallë më të lartë të tolerancës ndaj atakimeve që mund t’i bëhen në drejtim të reputacionit të tij.

Në vlerësim te publikimit në tërësi, gjykata ka gjetur se deklarimi duhet të shihet më shumë si një debat në mes vet anëtarëve të asaj partie politike meqenëse paditësi ishte deputet i asaj partie, ndërsa i padituri anëtarë dhe jo medoemos si çështje faktike.

Gjithashtu gjykata ka konstatuar se nuk është vërtetuar se përmes postimit të bërë paditësit i është shkaktuar dëm.

Sipas aktgjykimit Arian Krasniqi nuk ka tejkaluar kufijtë e lirisë së shprehjes.

“Andaj, gjykata vlerëson se edhe pse publikimi përmban disa pohime te tepruara ose provokuese, i padituri nuk i ka kaluar kufijtë e lirisë se shprehjes, edhe për faktin se për shkak të termave të përdorur nga i padituri, në vlerësim të gjykatës, postimi kontestues kishte besueshmëri të ulët tek publiku, ashtu siç u arsyetua me lartë. Për gjykatën, ky postim nuk ka mundur të bëjë një ndërhyrje të rëndë në drejtim të respektimit të jetës private të paditësit në përgjithësi dhe reputacionit të tij në veçanti” – shkruhet në aktgjykim.

Në tërësi thuhet se organi ligjvënës ka gjetur se shprehjet e të paditurit më shumë janë opinione dhe epitete negative që i padituri i ka bërë në drejtim të paditësit, me qëllim të zbehjes dhe autoritetit të paditësit si kundërshtim i një shkrimi paraprak të paditësit, por që nuk ka mundur të vërtetohet se me këtë postim i padituri ka pasur qëllim të shpifë apo të fyej paditësin.