Seanca ndaj të akuzuarve për vrasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu – 01.06.2023 / FOTO: Aulona Alaj – KALLXO.com

Apeli e kthen në rigjykim rastin e vrasjes së Marigona Osmanit

Gjykata e Apelit ka anulur aktgjykimin e Gjykatës së Ferizajit dhe ka kthyer në rigjykim rastin e vrasjes së 18-vjeçares nga Ferizaj, Marigona Osmani.

Kolegji i Apelit që mori këtë vendim përbëhet prej kryesuesit Xhevdet Abazi, anëtarit Hashim Çollaku dhe gjyqtares referuese, Kadrije Goga-Lubishtani.

Të premten me datë 23.02.2024, Gjykata e Apelit ka dalë me njoftim se është anuluar aktgjykimi i shkallës së parë dhe rasti është kthyer në rigjykim.

Për këtë vrasje, Dardan Krivaça u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Ferizajit me 04.09.2023.  Ndërsa i bashkakuzuari Arbër Sejdiu u dënua me 15 vjet burgim për ndihmë në kryerjen e vrasjes.

 

Ndërsa nga akuzat për dhunim dhe ndihmë në dhunim Krivaça dhe Sejdiu janë liruar.

Sipas njoftimit, kolegji i Apelit ka vlerësuar se dispozitivi i parë dhe i dytë i aktgjykimit është i paqartë, i pakuptueshëm dhe jo në harmoni me ligjin.

Dispozitivi i parë i aktgjykimit ka të bëjë me veprën penale të dhunimit, veprime për të cilat Krivaça u lirua nga akuza. Ndërkaq dispozitivi i dytë lidhet me akuzat ndaj Arbër Sejdiut për ndihmë në kryerjen e dhunimit, vepër për të cilën i njëjti ishte liruar nga shkalla e parë.

Në njoftim bëhet e ditur se Apeli ka aprovuar ankesën e Prokurorisë dhe ankesën e mbrojtësve të dy prej të akuzuarve.

Krivaça akuzohet se me dashje dhe në bashkëkryerje me Arbër Sejdiun e privojnë nga jeta të ndjerën Marigona Osmani. Me të njëjtën, Krivaça ka qenë në lidhje jashtëmartesore.

Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu akuzohen për vrasje të rëndë në bashkëkryerje.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Krivaça dhe Sejdiu e kanë goditur të ndjerën me një shkop në pjesë të ndryshme të trupit me ç’rast i kanë shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike duke shkaktuar vdekjen e viktimës.

Gjykimi për këtë rast ka filluar në korrik të vitit 2022, kurse seanca e fundit u mbajt të martën më datë 02.08.2023.

Drejtësisë iu deshën gati dy vjet nga vrasja e Marigona Osmanit që rastit të i jap epilog në shkallë të parë.

Më 22.08.2021 ishte njoftuar se një 18-vjeçare ishte dërguar pa shenja jete në spitalin e Ferizajt.

Në aktakuzën e Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com tregohet se si kamerat e sigurisë që kanë qenë të vendosura në banesën e të pandehurit Krivaça, ka bërë që Prokuroria të sigurojë prova të forta për netët para ngjarjes fatale e për mënyrën se si u organizua dhunimi, e më pas vrasja e 18-vjeçares. Sipas konstatimit të Prokurorisë, në korridor të banesës së të pandehurit ka pasur të vendosur një kamerë sigurie, e cila regjistronte 24 orë e që ka xhiruar edhe momente të ngjarjes.

“Regjistrimi ka kohën e saktë, kamera ka pamje nga dera e hyrjes së banesës dhe banjo, e njëjta ka pamje edhe të një pjese të derës së një dhome gjumi, si dhe një dhomë tjetër të cilën e kap vetëm një qosh, kjo e fundit edhe është dhoma ku janë kryer veprat penale” – përshkruhet në aktakuzë.

“Policia ka marr DVR, e njëjta është dërguar për ekzaminim, ku janë tërhequr pamjet për periudhën kohore prej shtatëdhjetë e dy orë dhe atë nga data 19.08.2021 ora 00:05 deri më 23.08.2021 ora 00:18” – përshkruan aktakuza e Prokurorisë, e cila detajon edhe kohën e saktë dhe veprimet e dy të pandehurve brenda banesës.

Në aktakuzë theksohet se Prokuroria e ka konsideruar videon të besueshme dhe ngjarja është regjistruar prej datës 19.08.2021.

“Ne e konsiderojmë videon të besueshme dhe të saktë, videoregjistrimet tregojnë se në fillim, konkretisht, më 19.08.2021, raportet në mes të pandehurit Dardan Krivaça dhe të ndjerës kanë qenë të mira, këto raporte fillojnë të përkeqësohen kur aty paraqitet i pandehuri Arbër Sejdiu, i cili vije në orën 16:18, së bashku me Dardanin, ku me vete ka një çantë me rroba, në orën 19:02, të pandehurit bisedojnë lidhur me kamerat, si dhe shikojnë se cilat pjesë të korridorit i kap kamera ku lëvizin në pjesë të ndryshme për të verifikuar se cilat pjesë të korridorit i kap kamera dhe vërehet se rolin apo fjalën kryesore për këtë e ka Arbër Sejdiu, në orën 19:56, Arbëri merr rrobat e tij dhe del nga banesa së bashku me Dardanin” – shkruhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Prokurori në aktakuzën e përpiluar, ka përshkruar se si është organizuar dhunimi e më pas vrasja e Marigona Osmanit.

“Më 21.08.2021, ora 02:40, Dardan Krivaça, pas mesnate deri sa është në banjë me të ndjerën Marigona Osmani, e godet me dorë në fytyrë,  04:52, dalin nga banesa, 09:53, i pandehuri Dardan Krivaça dhe e ndjera Marigona Osmani, kthehen ku vërehet se e ndjera nuk ka kontroll të plotë, i merren mendtë, 10:02, i pandehuri e dërgon në banjë të ndjerën Marigona Osmani, del në ora 10:14, ku vërehet se e njëjta reziston, mirëpo është kapur me duar dhe shtyhet me forcë drejt sallonit, 10:48, e dërgon me forcë në banjë, ku e ndjera është e zhveshur, ndërsa i pandehuri është veshur ku qëndrojnë deri në orës 11:09, kur dalin i pandehuri është zhveshur, dhe të ndjerën me dhunë e nxjerr nga banjë dhe e dërgon në dhomën e gjumit,  13:43, i pandehuri i cili është zhveshur i vendos kamerës një kapelë e cila mbulon pamjen deri në orën 19:57” – përshkruhet në aktakuzë.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK