Foto: KALLXO.com

Betejë gjyqësore mes Milaim Zekës dhe Glauk Konjufcës

Milaim Zeka dhe Glauk Konjufca me shumë gjasë do të përballen në gjykatë.

Kjo sepse ish-deputeti e ka paditur për shpifje dhe fyerje kryetarin aktual të Kuvendit të Kosovës.

Padia është ushtruar, sipas paditësit, si pasojë e deklarimeve të Glauk Konjufcës më 18 nëntor 2018 në kanalin televiziv “T7”.

Milaim Zeka pretendon se në këtë emision Glauk Konjufca e ka cilësuar me shprehjet: “Hajn”, “bandit”, “matrapaz”, “shpifës”, “zhvatës”, “keqpërdorues”, “uzurpues”.

Madje, në padi thuhet se i padituri kishte thënë për paditësin se ai ka dërguar banda për të rrahur njerëz si dhe ka dërguar njerëz për të rrahur gazetarë në pikë të ditës dhe atë në mes të shesheve të vendit.

E po ashtu, sipas dosjes, Glauk Konjufca kishte deklaruar se Milaim Zeka i ka vjedhur 345,000 euro nga qytetarët e Kosovës.

Në mesin e provave Milaim Zeka e ka futur edhe linkun e Youtube të emisionit në fjalë, por ky emision nuk është më i qasshëm online.

Milaim Zeka ka konsideruar se këto deklarata nuk janë të bazuara në asnjë fakt të provuar dhe janë të bëra me qëllim të njollosjes së rëndë të personalitetit të tij.

Në Gjykatë, përmes shkresës së përpiluar nga përfaqësuesi i paditësit, avokati Faton Qirezi, po kërkohet që të vërtetohet se deklaratat e tilla janë shpifje, të detyrohet Glauk Konjufca të kërkojë falje dhe të premtojë të që nuk do t’i përsërisë ato që janë cilësuar shpifje kundër Milaim Zekës, si dhe të paguhen shpenzimet procedurale.

Paditësi e ka lënë në dorën e gjykatës të përcaktojë vlerën e dëmshpërblimit për dëmin e pretenduar moral.

Lidhur me këtë rast, KALLXO.com ka tentuar të marrë prononcim nga Glauk Konjufca, por ai nuk është përgjigjur në thirrjen telefonike dhe as në mesazhin me shkrim.