Dënimi i zyrtarit të Rahovecit | Foto: KALLXO.com

Burg Zyrtarit që Pagoi Rrymën me Para të Komunës

Hasan Hoti që akuzohej se pagoi me mjetet e buxhetit të Komunës fatura të rrymës të dy banesave, njëra prej të cilave rezulton të jetë e tij, u dënua me 8 muaj burgim nga Gjykata Themelore në Gjakovë.

“Gjykata ka konstatuar se i akuzuari me para të buxhetit të komunës ka paguar energjinë e shpenzuar në njehsorin elektrik i cili ka qenë i regjistruar në emër të Nazmi Hajdës e të cilën banesë e ka blerë vetë i akuzuari si dhe njehsorin elektrik në emër të qytetarit Gani Gashi, andaj gjykata të akuzuarin e gjykon me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 muajve në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak,” tha kryetari i trupit gjykues Nikollë Komani.

Gjykata e obligon Hasan Hotin që t’ia kthejë Komunës së Rahovecit paratë e përdorura për pagesë të rrymës.

“Përveç dënimit të shqiptuar, Hasan Hoti detyrohet që t’i kthejë 2 mijë  e 371 euro Komunës së Rahovecit si palë e dëmtuar në këtë çështje në afat prej një muaji nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi,” u tha gjatë shpalljes së aktgjykimit.

Hasan Hoti gjithashtu do të paguajë shpenzimet e procedurës penale në vlerë prej 163.52 euro dhe paushallin gjyqësor prej 100 eurove.

Zyrtari i dënuar i Rahovecit Hasan Hoti akuzohej se nga tetori i vitit 2010 deri në prill të 2014-ës keqpërdori pozitën e zyrtarit për paga dhe pagesa në Komunën e Rahovecit për përfitim të kundërligjshëm pasuror duke futur në faturat e pagesave të rrymës së shpenzuar nga komuna njehsorët e dy shfrytëzuesve privatë, duke dëmtuar buxhetin komunal në shumën 2371.90 euro.

Për gjykimin e Hotit KALLXO.com shkroi edhe më herët.

http://kallxo.com/gjykohet-zyrtari-qe-pagoi-rrymen-e-tij-parate-e-komunes/

http://kallxo.com/zyrtari-akuzuar-mungon-ne-seance/

http://kallxo.com/nen-hetime-pas-dyshimit-se-paguante-rrymen-e-vet-me-para-te-komunes/