Marcel Lekaj - Foto: KALLXO.com

Ankesat në KPM dhe KMSHK, praktikë e re që po ndiqet nga institucionet e drejtësisë

Gjykata e Prizrenit ka nisur një praktikë të re: dërgimin e ankesave në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) dhe në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) për mediat të cilat nuk raportojnë të vërtetën mbi këtë institucion.

Deri më tani rastet janë fituar ndërsa kjo sipas këtij institucioni të drejtësisë nuk është me qëllim që të sulmohen mediat por të ketë raportim të drejtë dhe të saktë.

“Aktualisht ka një interesim të madh për raportimin nga gjykatat dhe kjo ka rritë sfidën që të monitorohen të gjitha raportimet nga proceset gjyqësore. Shpërndarja e dezinformatave rreth proceseve gjyqësore është shumë e dëmshme për palët që janë pjesë e procedurës gjyqësore e pastaj në përgjithësi për procesin gjyqësor por kjo sjell pasoja që publiku mos të ketë besim në sistemin gjyqësor” – ka thënë Marcel Lekaj, zëdhënës i Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Sipas tij, Zyra për Media në këtë institucion mundohet në kohë reale të trajtojë çdo informacion të pasaktë që të mbrojë proceset gjyqësore. Vetëm gjatë vitit 2023, kjo Gjykatë mori mbi 100 kërkesa të ndryshme nga mediat.

“Ne në baza të përditshme marrim kërkesa nga mediat për qasje në gjykata, informacion etj. Vetëm gjatë 2023 kemi pranuar rreth 160 kërkesa” – ka thënë Lekaj.

Por, mediat gjatë vitit të kaluar dhe muajve të parë të këtij viti raportuan informacione të pasakta mbi proceset gjyqësore që zhvillohen në Gjykatën e Prizrenit. Për këtë, Zyra për Informim bëri disa ankesa.

“Ne si Gjykatë kemi nisur një praktikë të re, si institucion dërgojmë ankesa në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës dhe në Komisionin e Pavarur të Mediave për mediat që publikojnë informata nga proceset dhe vendimet gjyqësore. Kryesisht shkeljet kanë të bëjnë nga kapitujt për mosraportimin e së vërtetës, të drejtën për t’u përgjigjur dhe raste të tjera” – ka deklaruar Lekaj.

Në anën tjetër, Imer Mushkolaj nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës ka thënë se ankesa pranojnë nga shumë palë, si nga drejtues të institucioneve ashtu edhe nga qytetarë.

“Vetëm vitin e kaluar ne kemi pasur rreth 180 ankesa, që është një numër jashtëzakonisht i madh e ku janë ankuar që të gjithë, në kuptimin e profileve që sjellin ankesa duke filluar presidenti ose presidentja duke vazhdu me ministra ose zyrtarë të partive politike, duke vazhduar me personel akademik e kështu me radhë” – ka thënë Mushkolaj.

Tutje, ai ka thënë se KMSHK luan një rol të rëndësishëm në luftimin e dezinformatave.

“KMSHK luan një rol të rëndësishëm në luftimin e dezinformatave sepse është një organ i krijuar nga vetë mediat dhe të cilat e kanë pranuar kodin e etikës mbi të cilin raportojnë. Këshilli kujdeset që ky kod të respektohet” – deklaroi Mushkolaj.