Burg Dy të Akuzuarve për Vdekjen e Çiklistit

Me 5 vjet e gjysmë burg është dënuar Basri Miftari, i cili akuzohet për vdekjen e çiklistit Naim Rexhepi, të cilin e kishte goditur me automjetin e tij teksa po lëvizte me shpejtësi të madhe.

Zijadin Spahiu, gjykatësi i vetëm i këtij procesi, e ka dënuar me 1 vit burg efektiv edhe të akuzuarin tjetër Zenel Robellin, i cili më parë e kishte pranuar fajësinë për veprën penale – dhënie e ndihmës kryesit pas kryerjes së veprës penale.

Robelli dhe i akuzuari i tretë Përparim Miftari janë liruar nga akuza për veprën penale – mosdhënia e ndihmës personit të aksidentuar.

Avokati Flamur Ahmeti, i cili mbron të akuzuarin Zenel Robelli tha për KALLXO.com se verdikti gjyqësor është i knaqshëm.

“Verdikti gjyqësor ishte se për veprën penale për të cilën edhe e ka pranuar fajësinë është dënuar me një vit burgim efektiv, kurse për veprën penale të dytë mosdhënia e ndihmës është liruar nga akuza ashtu siç kemi pretenduar që nga fillimi i seancave gjyqësore ku dhe kemi besuar në pafajësinë për këtë rast, dhe që jemi pjesërisht të knaqur por ndoshta edhe do ta paraqesim një ankesë, në konsultim me klientin e pastaj do vendosim”, tha avokati Flamur Ahmeti.

Ngjarja tragjike për të cilën janë gjykuar në Gjykatën e Kamenicës tre të akuzuarit ka ndodhur në tetor të vitit 2014 në aksin rrugor Shipashnicë e Epërme-Desivojcë.

I akuzuari kryesor në këtë rast, Basri Miftari, akuzohej për tri vepra penale: rrezikim i trafikut publik, mosofrim të ndihmës personit të aksidentuar dhe për falsifikim të dokumentit zyrtar.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët nga ky proces gjyqësor i zhvilluar në Gjykatën Themelore të Gjilanit, dega në Kamenicë.

http://kallxo.com/te-akuzuarit-per-vdekjen-e-ciklistit-dalin-ne-gjyq/

http://kallxo.com/fjala-perfundimtare-ne-gjyqin-per-vdekjen-e-ciklistit/