I akuzuari Zllatan Arsiq para Gjykatës - Foto: KALLXO.com

Gjykimi për krime lufte kundër shqiptarëve në Kamenicë, çfarë tha gjatë dhënies së mbrojtjes i akuzuari Zllatan Arsiq?

Në Gjykatën e Prishtinës sot është mbajtur seanca kundër Zllatan Arsiqit, i cili po akuzohet për krime lufte, të kryera sipas Prokurorisë Speciale në zonën e Kamenicës.

Në seancën e sotme u dëgjua sërish në cilësi të dëshmitarit i dëmtuari Besim Muhaxheri.

Kurse, i akuzuari e dha mbrojtjen.

Gjatë dëshmisë, Besim Muhaxheri u ballafaqua me deklaratat e tij të mëparshme, të cilat mbrojtja e të akuzuarit i quajti kontradiktore.

Nga mbrojtja ai u pyet edhe lidhur me një deklaratë që kishte dhënë lidhur me një aparat fotografik që kishte deklaruar se e kishte përdorur për të fotografuar shtëpinë që i akuzuari Zllatan Arsiq akuzohet t’ia ketë djegur.

Kështu, avokati Vasili Arsiq e pyeti se pse nuk i kishte fotografuar edhe plagët për të cilat i akuzuari po akuzohet se i ka shkaktuar.

“Maltretimi që e kam pasur unë, jo mua po as familjes time s’i ka ra ndër mend me bo foto“ – ishte përgjigjja e të dëmtuarit.

Tutje në seancë i akuzuari dha mbrojtjen e tij, me ç’rast u përgjigj në pyetjet e avokatit të tij, të prokurorit Atdhe Dema si dhe trupit gjykues.

Trupi gjykues në këtë rast kryesohet nga Valbona Musliu Selimaj, kurse anëtarë janë Mentor Bajraktari dhe Musa Konxheli.

I akuzuari Arsiq deklaroi se gjatë jetës së tij ka qenë vetëm polic i Kosovës, dhe se aktualisht është në suspendim me pagesë.

“Uniformën e vetme policore që kam bartur është e Policisë së Kosovës…  Ende polic i Kosovës me suspendim të paguar” – u shpreh Arsiq.

Kurse, lidhur me rastin deklaroi se nuk ka qenë aty kur ka ndodhur dhe se nuk ka pasur kurrë problem me të dëmtuarin Muhaxheri.

“Unë nuk kam kurrfarë lidhje me Besimin, nuk kam qenë aty në atë kohë kur i ka ndodhur rasti, e tërë komuna e di se unë nuk kam pasur lidhje me Besimin. Unë kam punuar në atë stacion policor në Kamenicë, të gjithë kolegët e mi më njohin se asnjëherë nuk e kam pasur asnjë problem as me shqiptarë e as me serbë” – deklaroi i akuzuari Arsiq.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 2 shkurt, kur pritet të jepet fjala përfundimtare.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër Zllatan Arsiqit në korrik të vitit të kaluar. Ai po akuzohet për krime lufte në zonën e Kamenicës.

Sipas aktakuzës, Zllatan Arsiq në marsin e vitit 1999 para bombardimeve të NATO-s, në stacionin policor në Kamenicë, me uniformë të Policisë serbe e i armatosur kishte rrahur dhe trajtuar në mënyrë çnjerëzore të dëmtuarin Besim Muhaxheri.

Aktakuza thotë se Arsiq këtë e kishte bërë në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe.

Kështu, ai akuzohet se duke qenë në veturë policore e kishte ndaluar të dëmtuarin dhe i është drejtuar me fjalët: “Ku po i dërgon këto cigare?”, “UÇK-së po ja dërgon”, “Tash të tregoj se për kënd i ke blerë cigaret”.

Pasi që e kishin detyruar të shkojë me biçikletë në stacionin policor në Kamenicë, sipas aktakuzës, e kanë goditur me shufër gome, shqelma dhe grushte në pjesë të ndryshme të trupit për plot një orë e gjysmë.

Akti akuzues thotë se i dëmtuari Muhaxheri është torturuar në mënyrë çnjerëzore, me ç’rast ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe traumë.

Përveç këtij rasti, Zllatan Arsiq po akuzohet se ka marrë pjesë në dëbimin e qytetarëve të Kamenicës në periudhën shkurt deri mars të vitit 1999.

Tutje, aktakuza thotë se së bashku me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe kanë filluar plaçkitjen dhe djegien e shtëpive të shqiptarëve.

Sipas aktakuzës, disa ditë pasi që kishte ndodhur torturimi i të dëmtuarit, Arsiq është takuar me të dëmtuarin në oborrin e shtëpisë së tij, shtëpi e cila ishte djegur pas dëbimit të të dëmtuarit.

Takimi kishte ndodhur në oborrin e kësaj shtëpie, e që sipas aktakuzës Arsiq e kishte goditur me shuplakë të dëmtuarin dhe ia kishte vendosur tytën e armës automatike në fyt duke e kërcënuar me ekzekutim.