Konfiskimi i veturës në Kamenicë nga Policia, më 04.04.2024, Foto: Policia e Kosovës/Facebook

Kamenicë, e kishte të konfiskuar patentë shoferin - gjobitet me 500 euro

Njësia patrolluese e Policisë në Kamenicë ka ndaluar një veturë me targa vendore dhe gjatë kontrollit ka vërtetuar se vozitësi, shtetas i Kosovës, drejtonte mjetin e tij edhe pse e kishte të konfiskuar patentë shoferin për tre muaj.

Në vendimin për kundërvajtje të shqiptuar ndaj shoferit, shihet se Policia e ka regjistruar kundërvajtjen më 04.04.2024 dhe se ka ndodhur në ose afër rrugës “Syl Zyrbnica”, në Kamenicë.

Sipas njoftimit të Policisë, bazuar në Ligjin e ri për Rregullat e Trafikut Rrugor ndaj të dyshuarit është shqiptuar gjoba në vlerë prej 500 euro dhe i është ndaluar vozitja e mjeteve motorike në afat prej gjashtë muajsh.

Të dyshuarit po ashtu i është konfiskuar vetura përkohësisht, siç ka njoftuar Policia.

“Të njëjtit sipas nenit 246 konform ligjit për rregullat në trafikun rrugor 08/L-186 i është shqiptuar gjoba në vlerë prej 500 euro, pesë 5 pikë negative dhe masën e përkohshme të ndalim vozitjes së mjeteve motorike në afat prej gjashtë 6 muaj” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 05.04.2024.

Sipas Ligjit të ri për Rregullat e Trafikut Rrugor, në nenin 246 ku është folur për ‘Masa mbrojtëse për pantentë shoferi’, në paragrafin dy thuhet “Shoferit të cilit i është marrë patenta e shoferit ose që është larguar nga trafiku rrugor sipas këtij ligji, ose ndaj të cilit është shqiptuar masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik, nuk i lejohet gjatë asaj kohe ta drejtojë mjetin në trafikun rrugor”.

Ndërkaq, në paragrafin pesë të nenit 246, pëcaktohet dënimi të cilin Policia e ka shqiptuar ndaj vozitësit.

“Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej pesëqind (500) euro, masa mbrojtëse ndalim i drejtimit të mjetit me veprim motorik prej gjashtë (6) muaj, si dhe pese (5) pikë negative, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafit 2. të këtij neni” – thuhet në paragrafin 5, neni 246, në Ligjin e ri për Rregullat e Trafikut Rrugor.

Në anën tjetër, konfiskimi i veturës përderisa vozitësi e ka drejtuar në kushte pa patentë shoferë rregullohet përmes paragrafit gjashtë të nenit 246 të këtij ligji.

“Nëse shoferi, ndaj të cilit është shqiptuar masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik, e drejton mjetin në trafikun rrugor gjatë periudhës së masës mbrojtëse, do t’i konfiskohet përkohësisht mjeti te cilin është hasur duke e drejtuar, deri sa ndaj të njëjtit është aktive masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik” – thuhet në paragrafin 6, neni 246, në Ligjin e ri për Rregullat e Trafikut Rrugor.

Si përfundim, Drejtoria rajonale e Policisë në Gjilan, apelon vozitësit që të i respektojnë normat dhe ligjet e trafikut rrugor.

Nga 3 prilli 2024 ka hyrë në fuqi Ligji i ri për Rregullat e Trafikut Rrugor, me anë të të cilit janë ashpërsuar gjobat për shkelësit e rregullave në komunikacion.

Ky ligj është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 22.02.2024 dhe është dekretuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 11.03.2024, duke e shfuqizuar Ligjin e vjetër për rregullat e trafikut rrugor, i cili ka qenë në zbatim që nga gushti i vitit 2016.