Bërlloku i Gjermanisë në Formë të 'Golf 2'-it

Megjithatë, kryetari i Prishtinës blerjen e veturave të vjetra nga kosovarët dhe lejimin e importimit të tyre në Kosovë e arsyetoi me gjendjen e vështirë ekonomike.

Sipas Ahmetit, vendeve të zhvilluara më shtrenjtë u kushton riciklimi i veturave të tilla sesa shitja me çmim të lirë.

“E marrim bërllokun e Gjermanisë dhe Zvicrës ne formë të ‘Golf 2-it,” tha Ahmeti.

Ahmeti i tha këto fjalë në tryezën e Konsorciumit Kosovar të Organizatave te Shoqërisë Civile për Zhvillim te Qendrueshëm (KOSID) ku u diskutua për ndikimin e veturave në shëndetin dhe sigurinë rrugore.

Kryetari i Prishtinës shpëtimin nga ndotja e makinave dhe aksidenteve e pa te mospërdorimi i tyre.

“Kjo arrihet duke përdorur më shumë transportin urban, një autobus zëvendëson 50 vetura,” tha Ahmeti.

Ai foli edhe për cilësinë e dobët të karburanteve në Kosovë që shtojnë ndotjen, pasi tha se përmbajnë sasi të madhe të peroksidit të sulfurit.

Sipas analizës së Institutit GAP në vitin 2014 në Kosovë ishin të regjistruara gjithsej 286,505 automjete. Më e vjetra ishte prodhim i vitit 1942. Në përgjithësi mesatarja e vjetërsisë se veturave që qarkullojnë në Kosove është 18 vjet, apo 10 vjet më shume sesa mesatarja e veturave që qarkullojnë brenda BE-së.

Kësaj mesatareje të lartë, në masë të madhe i ka kontribuar edhe vendimi i qeverisë i vitit 2011 për lejimin e importit të veturave të përdorura deri në 13 vjet, nga 8 sa kishte qenë me herët.

Ne mars të këtij viti, qeveria shkoi edhe një hap me tej, duke hequr kufizimin për importimin e veturave të përdorura.

Jeton Mehmeti nga Instituti GAP tha se krahas lejimit të makinave të tilla të vjetra, është dashur të forcohej kontrolli teknik i tyre.

“E duke marrë këtë hap, qeveria në anën tjetër nuk ka ndërmarrë masa në Qendrën e Kontrollimit Teknik për një kontrollim më të rreptë. Si rezultat i kontrollimit teknik jo të duhur, po rritet edhe numri i aksidenteve në trafik dhe në ndotjen e ambientit,” tha Mehmeti.

Kurse Lutfi Zharku, ministër i Infrastrukturës vendimin e qeverisë për mosafatizim të vjetërsisë së makinave e arsyetoi me gjendjen ekonomike aktuale në Kosovë.