Autostrada Prishtine - Hani i Elezit Foto: KALLXO.COM

53 milionëshi për Bechtel–Enka, ftohet edhe një ish-ministër për të dëshmuar

Ish-ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku është ftuar nga Gjykata që të jap dëshminë e tij në Rastin e 53 milionëshit.

Rasti i njohur për publikun si 53-milionëshi solli edhe njëherë tjetër në gjykatore ish-ministrin Pal Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri.

Trupi gjykues i përbërë nga kryetarja Violeta Namani dhe anëtarët Vesel Ismaili dhe Musa Konxheli kanë deklaruar në seancën e së hënës se në cilësinë e dëshmitarit do të dëshmojë edhe ish- ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku lidhur me këtë çështje.

Ministria e Infrastrukturës në kohën kur udhëhiqej nga ministri i LDK-së Lutfi Zharku, e kishte nënshkruar një aneks kontratë me Bechtel-Enkan, në bazë të së cilës kërkohej shtesa prej 14.9 milionë eurosh, e cila shumë mund edhe të rritej në bazë të zgjatjes së kohës së përfundimit të kontratës.

Javëve të fundit në këtë shqyrtim gjyqësor kanë dëshmuar edhe disa ish-ministra.

Ish-ministri i Financave në kohën e qeverisë Haradinaj, Bedri Hamza si dhe ish-Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka kanë dëshmuar lidhur më këtë rast si dëshmitarë të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Kujtojmë që në cilësi të dëshmitarit për këtë rast në prill të këtij viti ishte dëgjuar edhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani.

Edhe ish-kryeministri Haradinaj pritet të dëshmojë lidhur më këtë çështje.

E lidhur me këto pretendime të prokurorisë katër të pandehurit në seancën fillestare të mbajtur me 4 maj të vitit 2022 nuk e kishin pranuar fajësinë.

Ish-ministri Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri akuzohen se janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e këtyre mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.

Me veprimet e tyre ata akuzohen se buxheti i Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38.321.346.00 euro.

Sipas PSRK-së, ndonëse të pandehurit kanë qenë në njohuri që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto.

Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel & Enka” ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.

Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27 nëntor 2017 të paraqes një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.

Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.

Të gjitha raportimet e tjera lidhur më këtë rast nga Kallxo.com, mund t’i lexoni në LINK.