Krasniqi: Komunat që udhëhiqen nga PDK në krye të tabelës për transparencë buxhetore

Instituti GAP ka publikuar raportin për transparencë buxhetore të komunave të Kosovës.

Maksimumin e pikëve të indeksit për vitin 2022 e kanë arritur shtatë komuna: Drenasi, Klina, Lipjani, Mitrovica e Jugut, Prizreni, Rahoveci dhe Skenderaj.

Transparencë të lartë buxhetore kanë treguar edhe Komuna e Hanit të Elezit si dhe Komuna e Vushtrrisë.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar duke thënë se gjashtë nga tetë komunat të cilat udhëhiqen nga PDK, janë renditur në krye të tabelës për transparencë buxhetore

“Jam i lumtur dhe krenar me punën dhe përgjegjësinë të cilën po e tregojnë para qytetarëve dhe para ligjit, të gjithë Kryetarët e komunave të cilat udhëhiqen nga PDK-ja, si edhe ekipet e tyre. Transparencë dhe llogaridhënie, kjo është mënyra e vetme përpara – asgjë më pak”- ka shkruar Krasniqi.

Sipas Institutit GAP, Komuna e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit janë vlerësuar me zero pikë në indeks, meqë nuk kanë publikuar asnjë dokument buxhetor të vitit 2022 në ueb-faqet e tyre zyrtare dhe nuk janë përgjigjur në kërkesën e Institutit GAP për qasje në dokumentet buxhetore.

Po ashtu, është bërë e ditur se në krahasim me vitin 2021, 25 komuna, nga 17 sa ishin vitin e kaluar, kanë treguar progres në transparencë buxhetore, kurse 4 komuna kanë treguar regres.

Raportin “Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2022” e gjeni në këtë LINK.