Ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, duke dëshmuar në rastin e njohur si 53-milionëshi, Foto: KALLXO.com

Zharku: Ministria e infrastrukturës nuk është dashur ta nënshkruajë marrëveshjen për 53 milionë euro

Ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, ka thënë se nuk ka pasur të drejtë Ministria e Infrastrukturës që udhëhiqej nga Pal Lekaj, ta nënshkruajë kontratën për 53 milionë euro me kompaninë “Bechtel-Enka”, për afatin e zgjatjes së punimeve për autostradën “Arbën Xhaferi”.

Këtë ai e tha gjatë dëshmisë që e dha në rastin e njohur si 53-milionëshi, në të cilin është ftuar nga gjykata të dëshmojë në cilësinë e ish-ministrit të Infrastrukturës.

“Jo, 53-milionshin jo, për arsye se menaxheri i kontratës (Hill International) është ai që e përcakton koston e saj” – ka thënë Zharku gjatë dhënies së dëshmisë.

Ish-ministri Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, akuzohen se janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e këtyre mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.

Me veprimet e tyre ata akuzohen se buxhetit të Kosovës i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 38,321,346 euro.

Sipas PSRK-së, ndonëse të pandehurit kanë qenë në njohuri që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto.

Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel & Enka”, në të cilën ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.

Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27 nëntor 2017 të paraqes një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.

Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro. e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.