Tryeza ku u diskutua për Ligjin për Liritë Fetare - Foto: KALLXO.com

Bashkësitë Fetare Përkrahin Ligjin për Liritë Fetare

Përfaqësuesit e bashkësive fetare të Kosovës sot janë mbledhur në një tryezë të përbashkët me përfaqësuesit e Kuvendit për të diskutuar rreth ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë.

Në këtë tryezë u bënë propozime të disa amendamenteve të Projektligjit ndërsa po ashtu u kërkua miratimi sa më shpejt i tij në mënyrë që të rregullohet statuti i bashkësive fetare në Kosovë.

“Kjo që ka ndodhur deri më tani për bashkësitë fetare mendoj që nuk duhet të ndodh tani e tutje. Bashkësia Islame sa i përket këtij ligji ka qenë gjithmonë konstruktiv dhe ka kërkuar që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt”, tha Vedat Sahiti nga Bashkësia Islame e Kosovës.

Ndërsa përfaqësuesi i Kishës Katolike, Fatmir Koliqi tha se është koha e fundit që bashkësitë fetare ta kenë statutin e tyre.

Ky Projektligj u përkrah edhe nga përfaqësuesit e pranishëm të bashkësive fetare, në përjashtim të përfaqësuesit të Kishës Ortodokse, i cili nuk ishte i pranishëm në këtë diskutim edhe pse u tha se është rrugës duke ardhur.

E më i ashpër ndaj këtij Projektligji ishte përfaqësuesi bektashian Baba Mumin Lama. Ai tha se ky Projektligj e ka përjashtuar komunitetin bektashian për shkak se janë futur në kuadër të Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës.

“Dhashë Zoti të na shkojë mirë se përndryshe nuk e kemi nisë mirë. Ndoshta ju dukem i ashpër por kam të drejtë. Neve na takon me qenë komunitet i veçantë sepse ndërrojmë për shumë gjëra dhe nuk mund të përfaqësohemi nga Komuniteti i Tarikatit ashtu siç e kanë cekur me Ligj”, tha Lama.

I pranishëm në këtë diskutim ishte edhe përfaqësuesi dhe koordinatori i Zyrës së Kryeministrit, Agron Gashi, i cili kërkoi heqjen e dy amendamenteve në këtë Projektligj.

“Kërkojmë të hiqet amendamenti ku përcaktohen 50 anëtarë për themelimin e një bashkësie fetare dhe të mos përcaktohet numri por të obligohen që bashkësia fetare të sjell listën e anëtarëve. Po ashtu neni ku thuhet që Qeveria e Kosovës nuk i financon asnjërën prej bashkësive fetare të fshihet. Kemi menduar që ne mund të financojmë ndonjë aktivitet përkujtimor apo ndonjë personalitet fetar dhe për këtë arsye kemi kërkuar ta heqim këtë nen”, tha Gashi.

Por përfaqësuesi i Kishës Ungjillore të Kosovës, Artur Krasniqi, kundërshtoi kërkesën e Qeverisë së Kosovës.

“Qeveria nuk duhet të bëjë financimin e bashkësive fetare sepse kjo më pas del se shteti mundet këdo dhe si të dojë të bëjë financimin. Andaj ne jemi që të mbetet amendamenti që Qeveria nuk duhet të financojë bashkësitë fetare”, deklaroi Krasniqi.

Kërkesë pati edhe deputeti i PDK-së, Nait Hasani, i cili tha se në këtë Projektligj duhet të futet edhe amendamenti për regjistrimin e Kishës Ortodokse Shqiptare.

Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, kërkoi të ndalen ligjëratat, kurset dhe aktivitetet e palicencuara për bashkësitë fetare në Kosovë.

Projektligji për  ndryshim dhe plotësim të Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë përmban 11 nene dhe ka për qëllim të rregullojë çështjet e bashkësive fetare në Kosovë.