Banorët e Dy Fshatrave Protestojnë për Qasje në Magjistrale

Banorët e fshatrave Qyshk dhe Pavlan për disa minuta kanë bllokuar qarkullimin e automjeteve në magjistralen Pejë-Prishtinë me kërkesën për t’iu lejuar qasje më e afërt në të.

Protestuesit thanë se sipas projektit të Ministrisë së Infrastrukturës banorët e këtyre dy fshatrave duhet të udhëtojnë disa kilometra për të pasur qasje në magjistrale.

Sali Çeku nga fshati Qyshk tha se sipas projektit që është paraparë duhet të udhëtojnë deri në fshatin Zahaq që të marrin drejtimin për qytetin e Pejës.

“Projektuesi e ka bërë me barriera mes trakave edhe mos me pas dalje diku 4200 metra, kështu që po na vështirëson shumë. Unë për shembull prej qetu duhet me i bërë 8 kilometra për me ardhur prapë në ketë vend për të shkuar në qytet. Kështu që jemi shumë të pakënaqur”, tha Çeku.

Banori i Qyshkut tha se kërkojnë që t’u mundësohet qasje në magjistrale si fshat dhe njëkohësisht të parashihet edhe trotuar për këmbësorët.

Përfaqësuesi i fshatit Pavlan, Avdyl Dreshaj, përveç kyçjes në magjistrale të ky fshat, kërkoi edhe krijimin e sigurisë për nxënësit gjatë rrugës së tyre drejt shkollës.

“Prej ministrisë kemi kërkuar pa pengesa dalje në autostradë, mu kyç fshati si fshat se përndryshe nuk kemi kyçje. Edhe barrierat për nxënës me gjithë bankinën prej fshatit Pavlan me dalë në shkollë, se nuk ka mundësi, se është rrezikim i jetës për fëmijë”, tha ai.

Shqetësim të njëjtë për projektin e rrugës me katër krosi kanë edhe bizneset përgjatë këtij aksi rrugor.

“Është lënë një hyrje shumë larg dhe një dalje shumë larg, kështu që na nuk kemi mundësi me funksionuar për asnjë rast”, tha Blerim Sinanaj në emër të bizneseve afër këtij segmenti rrugor.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës për kërkesat e banorëve të Qyshkut e Pavlanit foli shkurt me telefon për KALLXO.com.

“I di ato çështje, jemi duke munduar me zgjidhë atë problem”, tha ministri Zharku.

Banorët e Qyshkut dhe Pavlanit paralajmëruan një protestë tjetër më 31 maj.

KALLXO.com gjashtë ditë më parë shkroi për rrezikun nga shpejtësia e makinave nëpër një rrugë me katër korsi në Pejë.

http://kallxo.com/shpejtesia-qe-rrezikon-banoret-ne-rrugen-kater-korsi/