Presheva
Bajram Gecaj Vizitoi sot Preshevën
Zëvendës Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, ka qëndruar sot në Preshevë ku është takuar me drejtues politikë të shqiptarëve në komunat e banuara me shqiptarë.
Gecaj tha për KALLXO.com se vizita e tij në Preshevë është bërë në cilësinë e koordinatorit të qeverisë së Kosovës në raport me Luginën e Preshevës.
Në këtë vizitë ai është takuar me kryetarin e komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, me kryetarin e komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, kryetarin e Këshillit Kombëtar të Luginës, Jonuz Musliu dhe dy deputetët shqiptarë nga Presheva e Bujanoci në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi e Shaip Kamberi.
“Kam qenë atje dhe jam takuar me të gjithë liderët politikë vendore dhe kam parë që shqiptarët në këto komuna nuk kanë të drejta ashtu siç i kanë serbët e Kosovës. Kemi kërkuar që ato të drejta të cilat Serbia i kërkon për serbët në Koovë t’i aplikojë edhe për shqiptarët e Luginës. Jo që bëhet fjalë për diskriminim pozitiv, atje bëhet diskriminim negativ ndaj shqiptarëve”, tha Gecaj.
Ai u shpreh se vizita e tij nuk ndërlidhet me zgjedhjet lokale e parlamentare të cilat mbahen në Serbi të dielën, më 24 prill.