Kamberi e dënon vendimin e Serbisë për t’ia ndaluar ministrit Sveçla vizitën në Preshevë

Përfaqësuesi i komunitetit shqiptar në jug të Serbisë, Shaip Kamberi, e ka dënuar ashpër të enjten vendimin e Qeverisë serbe për t’ia ndaluar ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, vizitën në Luginën e Preshevës.

Sveçla njoftoi të enjten herët se autoritetet serbe ia hodhën poshtë “paarsyeshëm” kërkesën për ta vizituar Luginën e Preshevës në jug të Serbisë në kufi me Kosovën.

Kamberi, i cili e fitoi edhe një mandat në Parlamentin e Serbisë gjatë zgjedhjeve të kontestuara serbe të 17 dhjetorit, tha përmes një shkrimi në Facebook se vendimi dëshmon se “Qeveria në Beograd, nuk ndryshon, ajo mbetet paranojake e me urrejtje ndaj çdo gjeje shqiptare!”

Shqiptarët në Serbi jetojnë kryesisht në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc – komuna të njohura bashkërisht si Lugina e Preshevës.

Në Luginën e Preshevës, sipas regjistrimit të 2002-ës, kanë qenë 88.966 qytetarë të regjistruar, prej tyre 57.737 shqiptarë, apo 65 për qind.

Numri aktual i shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk është i qartë.

“Vizitat e zyrtarëve të Republikës së Kosovës e Shqipërisë në Luginë të Preshevës nuk janë vetëm të nevojshme, ato janë të domosdoshme, e duhet parë si të zakonshme, siç ndodhë në të gjitha vendet demokratike”, tha Kamberi.

Ai tha se bashkëpunimi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës me Kosovën e Shqipërinë “nuk do të ndalet”, dhe se “Beogradi mund të tentojë, por do të dështojë”.

Refuzim të kërkesave të zyrtarëve kosovarë për vizitë në komunat jugore të Serbisë – të banuara me shumicë shqiptare – kishte pasur edhe më parë.

Më 27 nëntor të vitit 2021 autoritetet në Serbi kishin refuzuar kërkesën e katër ministrave për vizitë dyditore në atë që njihet si Lugina e Preshevës.

Refuzimi i kërkesës për vizitë në Serbi kishte ardhur pasi më 23 nëntor Qeveria e Kosovës kishte refuzuar kërkesën për vizitë në Kosovë të shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kishin deklaruar për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm të rishqyrtojnë qëndrimin për lejimin e vizitave të Petkoviqit në të ardhmen, nëse “ai përmbahet nga gjuha nxitëse dhe provokuese në raport me qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës”./REL