Bislimi takohet me Kamberin, flasin për pozitën e shqiptarëve në Luginë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është takuar sot me deputetin shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberin.

Bislimi ka thënë se me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin serb, kanë diskutuar mbi zhvillimet aktuale dhe me theks të veçantë për pozitën e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Ai ka thënë se bashkëpunimi i vazhdueshëm është i rëndësishëm për adresimin e shtypjes dhe diskriminimit sistematik me të cilin ballafaqohen bashkatdhetarët atje.

“Përkushtimi dhe angazhimi i qeverisë vijon të jetë produktiv edhe gjatë këtij viti ku kemi ndarë 3 milionë euro për Luginën, mbështetje financiare kjo më e madhe për 50%, një milion më shumë sesa viti 2023, me qëllim mbështetjen e pakusht në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar, traditave, kulturës e gjuhës”- ka shkruar Bislimi.

Shaip Kamberi në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 17 nëntor 2023 në Serbi ka fituar edhe një mandat të deputetit në Kuvendin e Serbisë.