
Përfaqësuesit e Luginës flasin me Lajçakun për telashet e shqiptarëve në Serbi
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu dhe deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, më 05.04.2024 janë takuar në Bruksel me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Në këtë takim, siç ka njoftuar Lutfiu, është biseduar ndër tjera edhe për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginë.
“Mosintegrimi i shqiptarëve në institucione i bënë institucionet jokredibile e diskriminuese, ndërsa aplikimi i pasivizimit tendencioz në vendet ku jetojnë shqiptarët mundëson ndryshimin e strukturës etnike në ato vendbanime. Medvegja është shembulli më i mirë”- ka shkruar Lutfiu në Facebook.
Ai ka bërë të ditur se Lajçakun e kanë njoftuar për rëndësinë dhe impaktin që do të kishte njohja e diplomave të Kosovës për të diplomuarit nga Lugina.
“Infrastruktura e shkatërruar shkollore në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, përskaj moslejimit të teksteve shkollore dhe mungesës së tyre në gjuhën shqipe, vështirëson edhe më shumë procesin edukativo – arsimor tek nxënësit shqiptarë”- ka shkruar Lutfiu.
Mungesa e vullnetit politik për ta zhvilluar Luginën e Preshevës ekonomikisht, sipas tij, pasqyrohet më së miri me bojkotin total të shtetit në sjelljen e investitorëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
Shqiptarët në Serbi jetojnë kryesisht në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.