Foto: ZKM

Qeveria e Kosovës ndan mbi 16 mijë euro për Këshillin Kombëtar Shqiptar dhe përfaqësuesit e Luginës

Qeveria e Kosovës ka ndarë 16 mijë e 880 euro për Këshillin Kombëtar Shqiptar në Preshevë dhe për përfaqësuesit e Luginës.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, këto mjete janë ndarë me qëllim të përkrahjes së aktiviteteve të tyre avokuese.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot mbledhje elektronike, në të cilën ka ndarë 16,880.00 euro në mbështetje të Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, me qëllim të përkrahjes së aktiviteteve të tyre avokuese” – thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, më 15.04.2024.

Vitin e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë një qeveri që kujdeset për ta, pikërisht atëherë kur shteti serb i injoron e i diskriminon qëllimshëm.

Ai pati deklaruar se Qeveria e tij ka dhënë mbi dy milionë euro mbështetje financiare për Luginën e Preshevës, pa llogaritur mbështetjen prej gjysmë milion euro në përballjen me pandeminë Covid-19.

Kurti pati thënë se për 2024, Qeveria ka paraparë tre milionë euro për Luginën e Preshevës.