Takimi në Bruksel në mes emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe deputetit shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, Foto: Mirosllav Lajçak/X

Takimi Lajçak-Kamberi në Bruksel, diskutime për të drejtat e njeriut e minoriteteve

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka njoftuar se është takuar në Bruksel me deputetin e vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, më 05.04.2024.

Teksa e ka konsideruar si takim të dobishëm, Lajçak tha se kanë diskutuar tema të rëndësishme me deputetin Kamberi.

“Si pjesë e bashkëpunimeve të mia të rregullta me Ballkanin Perëndimor, kisha një takim të dobishëm me Shaip Kamberin në Bruksel. Diskutuam tema të rëndësishme, duke përfshirë të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve, të cilat janë çështje kyçe në procesin e integrimit evropian” – ka shkruar Lajçak, në platformën X.

Kurse, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu gjatë ditës më 05.04.2024, njoftoi se kishte ndodhur ky takim në mes tij, Kamberit dhe Lajçakut.

Në këtë takim, siç ka njoftuar Lutfiu, është biseduar ndër tjera edhe për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginë.

“Mosintegrimi i shqiptarëve në institucione i bën institucionet jokredibile e diskriminuese, ndërsa aplikimi i pasivizimit tendencioz në vendet ku jetojnë shqiptarët mundëson ndryshimin e strukturës etnike në ato vendbanime. Medvegja është shembulli më i mirë”- ka shkruar Lutfiu në profilin e tij në Facebook, më 05.04.2024.

Ai ka bërë të ditur se Lajçakun e kanë njoftuar për rëndësinë dhe impaktin që do të kishte njohja e diplomave të Kosovës për të diplomuarit nga Lugina.

“Infrastruktura e shkatërruar shkollore në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, përskaj moslejimit të teksteve shkollore dhe mungesës së tyre në gjuhën shqipe, vështirëson edhe më shumë procesin edukativo – arsimor tek nxënësit shqiptar”- ka shkruar Lutfiu.

Mungesa e vullnetit politik për ta zhvilluar Luginën e Preshevës ekonomikisht, sipas tij, pasqyrohet më së miri me bojkotin total të shtetit në sjelljen e investitorëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.