Bajram Gecaj Jep Detaje të Votimit në Zgjedhjet e Serbisë Brenda Kosovës

 

Zëvendës Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, tha të mërkurën për KALLXO.com se në tërë Kosovën, në ditën kur do të mbahen zgjedhjet parlamentare të Serbisë, do të ketë pesë pika grumbulluese të votave.

Misioni i OSBE-së më herët konfirmoi arritjen e marrëveshjes me qeverinë e Kosovës për ta kryer operacionin e grumbullimit të votave për këto zgjedhje, ndërsa Gecaj u shpreh marrëveshja parasheh zvogëlimin e numrit të qendra grumbulluese në krahasim me zgjedhjet e mëparshme të vitit 2014.

“Në zgjedhjet e kaluara kanë qenë tetë qendra grumbulluese ndërsa tani do të ketë pesë. Dy do të jenë në veri ndërsa tri të tjera në pjesën jugore”, tha Gecaj.

Ai u shpreh se nuk do të ketë votim klasik të serbëve në këto zgjedhje.

“Këto do të jenë vetëm qendra grumbulluese, e jo votim klasik”, tha ai.

Pakoja e Ahtisaarit me të cilën është shpallur pavarësia e Kosovës, ua garanton serbëve të Kosovës të drejtën e dyshtetësisë dhe, rrjedhimisht, edhe mundësinë e pjesëmarrjes në zgjedhjet e Serbisë.