Agim Bahtiri, AKR, Mitrovicë. Foto: Kallxo.com

Bahtiri dënon rastin e plagosjes të qytetarit serb në Suhadoll

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka dënuar rastin e djeshëm të plagosjes së një qytetari serb në në fshatin Suhadoll, që i takon Komunës së Mitrovicës Jugore.

“Unë dhe qytetarët e Komunës e dënojmë fuqimisht këtë incident të papranueshëm, i cili ka ndodhur në kohën kur situata e përgjithshme në Komunë është stabile, kur lëvizja dhe qarkullimi i lirë i qytetarëve në të dyja anët e lumit Ibër është normalizuar dhe kur raportet ndëretnike janë në përmirësim e sipër”, tha ai.

Kryetari Bahtiri ka shtuar se, ndonëse ende nuk dihen motivet e as rrethanat në të cilat ka ndodhur rasti, qarqe të caktuara ekstremiste që nuk duan stabilizim, që nuk duan përmirësim të raporteve ndëretnike dhe as zhvillim ekonomik, po bëjnë përpjekje që të shfrytëzojnë këtë incident të izoluar për të destabilizuar situatën në të dyja komunat.

“Por, të gjithë ekstremistëve, pa marrë parasysh se cilës etni i takojnë, ua bëjë me dije së udhëheqja komunale e Mitrovicës është e vendosur fuqishëm që proceset e integrimit, bashkëpunimit e të zhvillimit, ato të përmirësimit akoma të raporteve ndërnjerëzore dhe ndëretnike, t’i çoj përpara, ndërsa që jam i bindur se përpjekjet e tyre për të kthyer Mitrovicën në kaos e pasiguri, janë të dështuara”, tha ai.

Bahtiri kërkoi nga organet e hetuesisë dhe të drejtësisë, që të ndriçojnë sa më parë rastin.

KALLXO.com ka raportuar dje lidhur me këtë plagosje.

https://kallxo.com/nje-i-plagosur-me-arme-zjarri-ne-suhodoll/