Avokati Leotrim Syla | Foto: KALLXO.com

Avokati: Shtetasit Turq në Ambasadë dhe Aeroport

Leotrim Syla, avokati i familjeve të shtetasve turq, tha se familjarët e tyre nuk dinë asgjë për të arrestuarit.

Ai tregoi se qysh në mëngjes kanë bërë kërkesë për takim me Kryeministrin Haradinaj.

“Sot qysh në mëngjes kemi bërë kërkesë për takim sepse s’kemi asnjë lajm dhe ata janë të brengosur. Ne duam të dimë se çka po ndodhë ata. Ne s’kemi një deklaratë zyrtare se ku gjenden ata”, tha avokati Syla.

Ai deklaroi se nuk ka deklaratë nga shteti turk se ata janë deportuar atje.

“Nuk ka deklaratë zyrtare nga shteti turk se ata janë deportuar, as shteti i Kosovës nuk ka dhënë deklaratë zyrtare se i ka depërtuar”, tha Syla.

Sipas avokatit, stafi i Shkollës “Mehmet Akif”, ka marrë informata qe tre të arrestuarit në Gjakovë gjenden në aeroport, dy tjerë gjenden në Ambasadën turke dhe për fatin te arrestuarit tjetër, doktorit, nuk dihet asgjë.

“Na është kërku qe të japim një deklaratë për media, sepse nga informacionet e brendshme te shkollave gyleniste, tre të arrestuarit janë në aeroport të Prishtinës, dy te tjerë gjenden në aeroport. Kurse mjekut Osman Karakaja nuk dihet vendndodhja e tij”, tha avokati i të arrestuarit, Cihan Ozkan, Leotrim Syla.

Shtetasit turq u arrestuan dje, ndërsa më pas u depërtuan.

Në Prishtinë dhe aeroport u zhvilluan dje protesta, ndërsa krerët e shtetit thanë se nuk kanë pasur informata.