Apostolova në Komisionin për Integrime | Foto: KALLXO.com

Apostolovën e Shqetëson Korrupsioni

Duke iu drejtuar anëtarëve të Komisionit për Integrime Evropiane në lidhje me raportin që Zyra e BE-së e ka hartuar sivjet për Kosovën, shefja e kësaj zyreje dhe përfaqësuesja speciale e Bashkimit Evropian Natalya Apostolova e cilësoi korrupsionin dukuri shqetësuese.

“Raporti ka vërejtur se korrupsioni është shqetësues në Kosovë dhe një vullnet më i madh politik është i nevojshëm për luftimin e tij,” tha Apostolova.

Rezultatet e dukshme në luftimin e korrupsionit janë njëri nga kushtet e BE-së për lëvizje të lirë të kosovarëve në Zonën Shengen.

Duke paraqitur raportin e zyrës së saj për Kosovën, Apostolova tha se 2016-ta shënon një erë të re në marrëdhëniet BE-Kosovë.

“2016-ta ka qenë një erë e re me Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim. Ne presim nga ju që të gjitha që janë të shkruara në MSA të përkthehen në realitet,” tha Apostolova.

MSA-ja hyri në fuqi më 1 prill, ndërsa Komisioni Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë deri tash ka zhvilluar dy takime.

Apostolova tregoi se Zyrës së BE-së nuk i ka ardhur mirë që marrëveshja për Fondet e Paraanëtarësimit (IPA) është shtyrë disa herë për mungesë kuorumi.

“Jemi të zhgënjyer me shtyrjen e disahershme për miratimin e marrëveshjes së IPA-s, e cila është shtyrë disa herë në mungesë kuorumi,” tha Apostolova.

Kuvendi i Kosovës vetëm më 1 dhjetor të këtij viti miratoi marrëveshjen për fondet IPA 2015 me të cilat do të ketë investime në energji dhe ngrohje.

http://kallxo.com/kuvendi-ratifikon-marreveshjen-financiare-ne/

Apostolova foli edhe për dialogun me Serbinë. Tha se “ka përparime, por ende duhet punë”

Apostolova tregoi edhe pse po u drejtohet anëtarëve të Komisionit për Integrime Evropiane.

“Ne kemi përgatitur një agjendë për reforma. Agjendën reformuese evropiane nuk e zëvendësojnë strategjitë tjera. Ju keni rol të rëndësishëm në implementimin e reformave evropiane. Kthimi im tek ju tregon për rëndësinë që ky komision ka për BE-në,” tha Apostolova.

Ajo kërkoi debat politik pozitë-opozitë.

“Polarizimi mes opozitës e qeverisë, duke përfshirë edhe dhunë nga opozita i  papranueshëm, e pengon funksionimin e Kuvendit. Është e rëndësishme që të kemi përpjekje të të gjitha palëve që t’i kthehemi debatit politik,” tha Apostolova.

Ajo kërkoi edhe miratimin e buxhetit.

“Ju duhet të aprovoni buxhetin që është esencial për ata që ju kanë votuar. Tani jemi në mes të dhjetorit dhe dua të dëgjoj nga ju si do të procedoni më tutje me këtë çështje,” tha Apostolova.

Qeveria miratoi buxhetin për 2017-ën më 31 tetor, por ende nuk e ka dërguar në Kuvend.

http://kallxo.com/buxheti-2017-parasheh-qender-emergjente-dhe-stadium-nacional/

Apostolova kërkoi edhe hetimin e sulmeve ndaj gazetarëve, duke e konsideruar shumë të rëndësishme lirinë e shprehjes.