Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane 26.01.2024, Foto: Ilirjana Hoti/KALLXO.com

Besnik Bislimi gjatë raportimit në Komison pyetet se kur do të hiqen masat ndaj Kosovës

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është pyetur nga deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, se kur do të hiqen masat nga Bashkimi Evropian.

Gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane, Bislimi tha se “beteja politike për gjuetinë” ndaj meritave duhet të bëhet në Kuvend dhe jo në komision.

Kryesuesja e komisionit, Rrezarta Krasniqi nga LDK kërkoi nga ai “llogari” se çfarë ka bërë gjatë këtyre tri viteve të mandatit të tij, me procesin e dialogut.

“A ka ndonjë afat që kur ndërprehen, a preket ndonjë projekt prej masave? Na tregoni se çka këni bërë qe tri vite me procesin e dialogut, tash e tri vite s`kemi njohje, asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Çka keni bërë ju si zëvendëskryeministër qëe tri vite? Të lutem na trego për masat se cilat projekte janë prekur, se qytetarët janë të intersuar?” – e pyet deputetja Krasniqi – Bislimin.

Në fillim të mbledhjes, Bisimi foli për agjendën e reformave evropiane. Ai shtoi se të hënën më 22 janar e kanë dërguar listën e reformave në BE, agjendë e cila parasheh avancimin e administratës publike e financave publike.

“Me këtë rast BE, duhet të heqë masat, sepse i kemi ndërmarrur të gjitha veprimet dhe situata tashmë është e qetë” – tha Bislimi.

Sipas tij, ka frustrim brenda shteteve anëtare se si janë vendosur këto masa, ndërsa Serbia nuk ka masa nga sulmi në Banjskë të Kosovës.

“Masat janë të kufizuara vetëm për takimet në nivel të lartë, mirëpo jemi dëshmitarë që takimet kanë ndodhur dhe kanë vazhduar. Të martën do të kemi një vizitë nga Brukseli që do vijnë në Prishtinë” – deklaroi zv/kryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog.

Ndërkaq, kryesuesja e Komisionit, Rrezarta Krasniqi tha se nuk mori përgjigje për datën se kur do të hiqen masat ndaj Kosovës.

“Nuk mora përgjigje për një datë se kur hiqen masat. Veç kemi pasë llafe e llafe se edhe Serbia duhet me u ndëshku. Tash e 200 ditë janë bërë se jemi nën masa, nuk po shoh që ka angazhim të madh” – tha ajo.