Një pjesëtar i Njësisë Speciale të Kosovës në Zveçan | Foto: KALLXO.com

Grupi Ndërkombëtar i Krizave: Që nga viti 2021, qeveria Kurti ka 'ndezur' situatën në veri

Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG) ka përfshirë Kosovën dhe Serbinë në një raport i cili përfshinë dhjetë shtete apo regjione që rrezikojnë luftë apo eskalim të situatës në vitin 2024.

ICG-ja në raport ka përmendur mosarritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe refuzimin e Serbisë për të njohur statusin e Kosovës si shtet i pavarur.

Sipas ICG-së, meqenëse këto mosmarrëveshje kanë mbetur pa zgjidhje “Kurti qartazi e ka humbur durimin”.

“Ndër të tjera, ai ka vendosur policinë e armatosur rëndë në rajon; ka vendosur një embargo ndaj mallrave serbe që u duhen banorëve; ka dëbuar institucionet serbe dhe ka ndaluar përdorimin e monedhës serbe. Qeveria e tij i ka justifikuar këto hapa pjesërisht duke përmendur kërcënimet e sigurisë, më së fundi në formën e paraushtarakëve serbë të cilët zbuloi se sillnin armatim të nivelit ushtarak nga Serbia, në shtator 2023”- thuhet në raport.

Nën këtë presion të vazhdueshëm, siç është konstatuar nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, mbi 10 për qind e serbëve të Kosovës kanë emigruar gjatë vitit të kaluar.

“Emigrimi i serbëve të Kosovës është shqetësues në të dyja anët, si për atë që thuhet- nivelin e tyre të zhgënjimit, ashtu edhe për shkak se minon rrugën më të besueshme drejt normalizimit, në të cilën Kosova do t’u jepte serbëve të saj një vetëqeverisje të konsiderueshme në këmbim të njohjes de facto nëse jo de jure nga Serbia”- vlerëson ICG-ja.

Në këtë rast, për të lehtësuar një dinamikë më të mirë ndërmjet Kosovës dhe popullsisë së saj serbe, Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka disa rekomandime për Bashkimin Europian.

Pika e parë, që sipas ICG duhet ta ndërmarrë BE-ja është që të inkurajohet Prishtina që të rifokusojë policinë në komunat veriore në përmbushjen e nevojave të komunitetit. Në veri, sipas ICG-së, duhet të dërgohen më shumë oficerë serbisht folës me qëllim që të angazhohen në përmirësimin e  marrëdhënieve me banorët në atë pjesë.

Në pikën e dytë, raporti vlerëson se duhet punuar më shumë për të siguruar që të përmbushen nevojat e pakicës serbe në veri të Kosovës, veçanërisht në punësim, kujdes shëndetësor dhe shkollim.

“Nëse kjo nuk mund të bëhet brenda kornizës për autonomi të pjesshme që ka qenë në diskutim për komunat me shumicë serbe (të cilat serbët i quajnë “komunitet” dhe kosovarët “asociacion”), atëherë BE-ja dhe shtetet anëtare duhet t’i bëjnë presion partive që të zhvillojnë mënyra alternative për të arritur të njëjtin qëllim”- thotë ICG-ja.

Më tej, Grupi i Krizave i rekomandon BE-së që të inkurajojë qeverinë që të zbusë masat saj “të ashpra” të sigurisë në veri, duke përfshirë tërheqjen e dislokimeve të Policisë Speciale, duke premtuar lehtësim nga sanksionet dhe masa më të vogla në këmbim.

Ndërsa në pikën e katërt, thuhet që BE-ja duhet të shtyjë Serbinë që të bashkëpunojë plotësisht me përpjekjet e KFOR-it, forcës paqeruajtëse të udhëhequr nga NATO në Kosovë, për të mbyllur kufirin ndaj kontrabandës së armëve dhe për të gjetur armët e rënda që i ka furnizuar paraushtarakëve serbë të Kosovës.

Raporti vë në pah se taktikat e “presionit të Kosovës në veri mund të gjenerojnë kundërvajtje të mëtejshme të dhunshme”, duke shtuar se ato gjithashtu paraqesin një rrezik tjetër: mund të prishin rrugën më premtuese drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të gjata midis Beogradit dhe Prishtinës.

Në lidhje me këtë, Grupi i Krizave argumenton se rruga më e mirë drejt marrëdhënieve të mira Kosovë-Serbi është një kompromis me të cilin Serbia pranon pavarësinë e Kosovës në këmbim që Kosova t’i japë minoritetit serb një vetëqeverisje të konsiderueshme.

Së fundi, ICG thekson se për të kundërshtuar rrezikun e sigurisë, BE-ja duhet ta shtyjë Serbinë që të bashkëpunojë me Kosovën dhe KFOR-in në bllokimin e kontrabandës së mëtejshme të armëve përtej kufirit dhe të ndihmojë KFOR-in të neutralizojë çdo sasi të armëve të nivelit ushtarak që mund të gjejë tashmë në vend.

“Brukseli ka ndikim: nëse Beogradi bën ashtu siç i kërkohet, BE-ja nuk do të ketë arsye të vendosë sanksione ose  masa më të vogla ndëshkuese si ato që vendosi (dhe ende mban) ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023 si përgjigje ndaj refuzimit të qeverisë së Kurtit për të zbatuar zotimet e saj në lidhje me formimin e Asociacionit të komunave serbe dhe veprimet e saj të ashpra ndaj serbëve të veriut”- thuhet në raportin e ICG-së.

Sa i përket masave të BE-së kundër Kosovës, sipas Grupit të Krizave, BE-ja duhet gjithashtu të ofrojë heqjen e tyre nëse Kosova tërheq gradualisht policinë e saj speciale nga zonat me shumicë serbe dhe riorienton oficerët e mbetur, për të ofruar siguri publike siç rekomandohet më lart.

Situata në veri të Kosovës është përcjellë me tensione një pjesë të madhe të vitit 2023. Ato nisën më 26 maj të po atij viti, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë. Për të kundërshtuar këtë, qytetarë të komunitetit serb kanë mbajtur protesta.

Më 29 maj, nga përplasja e protestuesve me pjesëtarët e KFOR-it disa prej tyre mbetën të plagosur e të lënduar. Protestuesit gjithashtu patën sulmuar edhe policët, gazetarët dhe qytetarë.

Ndërkaq, në orët e para të 24 shtatorit 2023, një patrullë e Policisë së Kosovës ishte sulmuar me mjete shpërthyese. Rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku, ishte vrarë, një polic tjetër ishte plagosur dhe një tjetër ishte lënduar në këtë sulm.

Në kundërpërgjigjen e Policisë, disa terroristë u vranë, disa u plagosën, e disa u arrestuan, kurse shumica e anëtarëve të grupit iku në Serbi.

Katër muaj pas këtij sulmi, hetimet ende po vazhdojnë. Nga Bashkimi Europian është thënë se hetimet po i kryejnë individualisht disa vende anëtare, për rezultatet e të cilave ende nuk është finalizuar ndonjë raport.

Sulmin ndaj Policisë së Kosovës e kanë dënuar shumë shtete e organizata ndërkombëtare, disa prej të cilëve e kanë cilësuar edhe si terrorist.

Millan Radoiçiq, i cili ka pranuar publikisht se i ka prirë grupit që ka organizuar sulmin terrorist në Banjskë, tashmë ka zënë vend në listën e personave të cilët kërkohen nga INTERPOL-i.