Hulumtimi i QKSGJ: Mbi 50% e grave të anketuara, shakatë me mesazhe seksuale ndodhin shumë shpesh në vendet e punës

Në konferencën e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore “Ngacmimi Seksual në Sektorin Privat në Kosovë”, është shpalosur një raport hulumtues i kësaj organizate joqeveritare lidhur me ngacmimet seksuale në sektorin privat në Kosovë.

Nga 600 gra të punësuara në sektorin privat, 88% e tyre kanë deklaruar se kurrë nuk kanë qenë të ekspozuara ndaj ngacmimeve seksuale.

Të paktën kështu thuhet në raportin e nxjerrë nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, i cili u shpalos sot në konferencën e thirrur nga kjo organizatë.

Ndërkaq vetëm 10 % prej tyre kanë deklaruar se të paktën një herë, kanë qenë viktimë e ngacmimeve të tilla në vendin e tyre të punës.

Medina Vllasaliu, hulumtuese e këtij raporti tregoi se ky raport është i realizuar mbi perspektivën e grave të punësuara në sektorin privat duke mbledhur anketa prej grupmoshave të ndryshme.

Sipas këtij raporti të realizuar nga QKSGJ grupmoshat më të reja janë të prira të besojnë se ngacmimi seksual ekziston, në krahasim me grupmoshat më të vjetra.

Po ashtu ky raport ka të përfshirë edhe 20 intervista të punëdhënësve në këtë sektor.

Sipas Vllasaliut, shumica e punëdhënësve të intervistuar thonë se po të respektohej kodi veshjes në vendet e punës nuk do të kishte fare nevojë për këto udhëzime, sepse ngacmimi seksual nuk do të ishte fare ekzistent, duke shtuar se kjo e vështirëson raportimin e grave të ngacmuara tek ata.

Në raportin e prezantuar gjatë kësaj konference, Medina Vllasaliu, ka treguar edhe për përvojën personale të grave të punësuara në Kosovë, ku lidhur me raportimin e ndaj ngacmimeve në ambientet e tyre të punës, del se vetëm 35 % të këtyre grave do t’i raportonin menaxherit apo punëdhënësit të tyre.

“Këto gra edhe nëse ju ndodhë një ngacmim në vendin e punës nuk e kanë ose lirinë ose nuk dinë me raportu te menaxheri por shkojnë tek familja”, është shprehur ajo.

Përmes kësaj konference, Qendra Kosovare për Studime Gjinore ka kërkuar nga institucionet që të zbatojnë masat parandaluese ndaj kësaj dukurie.

“Kemi propozu që të bëhen ndryshime të duhura në ligj përkatësisht në Ligjin e punës, Ligjin për siguri dhe shëndetin, dhe Ligjin për barazi gjinore sepse në asnjërin prej këtyre ligjeve nuk njihet në mënyrë eksplicite ngacmimi seksual si diskriminim dhe si shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave të njeriut”, tha Vllasaliu.

Si dhe të ketë mbledhje periodike të të dhënave, në mënyrë që ta monitorojnë sipas tyre trendin e ngacmimeve seksuale se sa shpesh ndodhin, apo në cilat industri janë më të pranishme dukuri të tilla.

Për të gjitha këto të dhëna të nxjerra nga raporti i QKSGJ-së,  gjatë kësaj konference u mbajt edhe një panel diskutimi.

Kryeinspektori i Punës Hekuran Nikçi, i cili ishte ftuar i këtij paneli, ka thënë se IP nuk ka trajtuar asnjëherë ngacmimet seksuale në vendet e punës, duke qenë se IP është organ administrativ e ngacmimet siç thotë ai janë vepra penale të cilat duhet të trajtohen nga organet gjegjëse si policia dhe prokuroria.

“Ajo çka mund të bëjmë në të ardhmen është që me ligjin e ri të përfshihet edhe ngacmimi seksual në vende të punës”, tha Nikçi.

Ndërsa Nazlije Balaj nga Ministria e Drejtësisë është shprehur se siguria në vendin e punës është prioritet për të gjithë ne.

“Gjithmonë duhet të keni target gratë dhe vajzat si gjini e pafavorshme…”, tha Balaj.

Kjo konferencë ishte pjesë e projektit “Avancimi i diversitetit në tregun e punës si parakusht i punës së dinjitetshme për të gjithë”, i zbatuar nga QKSGJ, me mbështetje financiare nga Ambasada Holandeze në Kosovë.