Zv/kryeministri Bislimi nuk shkon në raportim para Komisionit, opozita: S'erdhi si shkak i marrëzive e skandaleve të qeverisë

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, nuk ishte i pranishëm në raportimin në Komisionin për Integrim Evropian. 

Përpos tij, të pranishëm nuk ishin as deputetët e shumicës – LVV.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra vendosi në hapësirat e sallës së Komisionit, imazhe të zëvendëskryeministrit, Bisnik Bislimi nga seanca e 13 korrikut e Kuvendit të Kosovës, ku pati përleshje fizike mes kabinetit qeveritar e deputetëve të opozitës.

Rrezarta Krasniqi nga LDK-ja tha se e kanë thirrur zv/kryeministrin Besnik Bislimin që të raportojë për sanksionet dhe takimin në Bratisllavë.

“Sot e kam thirrur takimin, zëvendëskryeministëri dje na ka njoftuar që nuk vjen, qëllimi u bë i ditur sot se nuk erdhën as deputetet e pozitës. Ne e kemi thirrur për të raportuar për sanksionet, dhe takimin e Bratisllavë, një takim që nuk duhet të ndodhet atje, por në Bruksel”- u shpreh ajo.

Derisa, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra u  shpreh se Bislimi nuk erdhi sot në raportim si shkak i marrëzive dhe skandaleve të qeverisë.

Ajo po ashtu kërkoi që kjo qeveri të lëshojë pozitat e vendi të shkojë në zgjedhje.

“Njeriu dy i kësaj qeverie prej marrëzisë dhe skandaleve sot nuk ishte për të raportuar, sepse e gjithë ajo që ka bërë kjo qeveri janë skandalet e panumërta. Sot Kosova është më keq se kurrë nga brenda, më e izoluar se kurrë nga jaht, në seancën e fundit kemi parë që numri dy ushtron dhunë ndaj deputeteve. Ata Sa më herët duhet t’i lirojnë pozitat dhe vendi të shkoj në zgjedhje e të kthehet legjitimiteti te qytetarët “- u sh preh ajo.

Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj tha se kjo qeveri nuk ka legjitimitet t’i përfaqësojë qytetarët.

“Po e shihni se kjo qeveri po ik prej përgjegjësisë të vij për të raportuar se çfarë kanë dialoguar, sot mungon zëvendëskryeministëri që e ka caktuar vet datën e orën për këtë raportim. Kjo qeveri duhet të shkoj në shtëpi sepse nuk ka legjitimitet t’i përfaqësoj qytetarët sepse i ka prishur raportet me aleatët tanë”- u shpreh ajo.

Në anën tjetër, Klisman Kadiu, këshilltar për Media i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, tha se mbledhja e Komisionit s’i mbajt pasi nuk pati kuorum. Ai pretendon se Bislimi nuk ishte prezent për shkak të mungesës së kuorumit.

“Mbledhja e paraparë për raportim të zëvendëskryeministrit Bislimi para Komisionit Parlamentar për Integrim Evropian, nuk u mbajt për shkak se nuk pati kuorum. Jo sepse nuk shkoi zëvendëskryeministri Bislimi. Ai pikërisht nuk ishte prezent, sepse nuk kishte kuorum. Zëvendëskryeministri Bislimi nuk ka refuzuar asnjëherë të raportojë në Komisionin për Integrim Evropian”- shkroi ai në Faebook.