Foto: OSCE

Ambasadori amerikan në OSBE: Serbia në BE pasi t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën

Ambasadori amerikan në OSBE, Harry R. Kamian  në Këshillin e Përhershëm të kësaj organizate në Vjenë tha se  siguria e Ballkanit dhe rrugëtimi i Serbisë në Europë varen nga normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.

“Siguria rajonale në Ballkan dhe përpjekjet e Serbisë për t’u integruar në Europë varen nga normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën. Shtetet e Bashkuara mbeten të vendosura për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës. Ne i bëjmë thirrje të dyja palëve për të kapërcyer pengesat ekzistuese në këtë proces, të mos krijojnë të reja, të zbatojnë plotësisht marrëveshjet ekzistuese dhe të shtyjnë të arrijnë një marrëveshje për të normalizuar marrëdhëniet me njohjen reciproke në thelbin e saj”, tha ai.

Kamian shtoi se Shtetet e Bashkuara pajtohen që e ardhmja e Serbisë do të jetë në Europë dhe ka inkurajuar që të bëjë reforma të domosdoshme.

“Misioni që e udhëheq Ambasadori Orizio, përqendron përpjekjet e tij në fushat që ne besojmë se janë çelësi për të ardhmen e Serbisë, duke nxitur lirinë e medias dhe mbështetjen e pavarësisë së gjyqësorit. Ne e mirëpresim ndihmën tuaj ndaj Serbisë, duke e ndryshuar kushtetutën e saj për të mbrojtur pavarësinë e gjyqësorit. Ne gjithashtu përgëzojmë Misionin tuaj për ofrimin e ekspertizës së tij ndaj qeverisë së Serbisë, ndërsa zhvillon një strategji të re të medias. Mungesa e transparencës së pronësisë së medias, përfshirja e vazhdueshme e qeverisë në pronësinë e medias, kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve kanë dëmtuar ushtrimin e lirisë së shprehjes në Serbi”, tha ai.

Ambasadori amerikan po ashtu tha se Serbia ka përparuar në miratimin e legjislacionit për të luftuar korrupsionin.

“Ambasador, ne jemi të kënaqur edhe nga përparimi i Serbisë në shumë fusha me interes të përbashkët për shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së. Ne e mirëpresim miratimin e legjislacionit të rëndësishëm për të luftuar korrupsionin, për të rritur sigurinë kibernetike, për të mbrojtur të drejtat e njeriut të pjesëtarëve të grupeve minoritare dhe për të mbrojtur mjedisin. Ka ende punë për t’u bërë, veçanërisht në mbrojtjen dhe forcimin e shoqërisë civile dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Protestat gjatë muajve të fundit janë një tregues se populli i Serbisë nuk beson se zërat e tyre po dëgjohen në mënyrë adekuate”, ka shtuar ai.

Kosova dhe Serbia janë në fazën finale të dialogut dhe pritet që të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes dyja palëve.