Albin Kurti mbështet sindikalistët e Telekomit të Kosovës

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti bashkë me koordinatoren e Komiteteve, Dejona Mihali dhe Drejtuesin e Komitetit për Komunikime Elektronike, Fatban Bunjaku, janë takuar me delegacionin e Federatës Sindikale të Telekomit të Kosovës, kryetarin Lamih Bala dhe anëtarët e kryesisë, Shpëtim Zharkun e Naim Halitin.

Në njoftim thuhet se Lëvizja Vetëvendosje u pajtua me qëndrimet e shprehura publikisht të Sindikatës, si dhe synojnë që t’i paraqesin ato në institucionet e Kosovës.

“Telekomi i Kosovës, Qeveria, nuk i ka asnjë borxh kompanisë Devolli dhe operatorit të tyre virtual Z-Mobile. Kontrata e iniciuar më 2007-2008 dhe e finalizuar me 2009 midis PTK dhe Z-mobile është produkt i krimit të organizuar.”, është shkruar në komunikatë.

Sipas tyre, autorët, nënshkruesit dhe të përfshirët duhet të ishin të dënuar nga drejtësia.

Për veç kësaj, thuhet se kontrata në fjalë duhet shkëputur dhe dëmi i shkaktuar me mbi 200 milionë euro nga Z-mobile ndaj Telekomi duhet të ishte kthyer.

“Lëvizja VETËVENDOSJE!, në bashkëpunim me LDK, ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për të datën 12 maj ora 10:00 në Kuvendin e Kosovës, ku do të kërkohen urgjentisht masa ndaj kësaj situate dhe propozimi i projektligjit për ndalimin e operatorëve mobil virtual.”, thuhet tutje në njoftimin e VV-së.

Lëvizja Vetëvendosje në Facebook