Aktakuzë ndaj pesë personave për shitje të narkotikëve në shtete të Europës

Prokuroria Speciale ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore të Mitrovicës kundër pesë personave për veprën penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal dhe blerje, posedim, shpërndarje të pa autorizuar e narkotikëve dhe substancave psiko – tropike dhe analoge.

Në aktakuzë përfshihen të pandehurit me inicialet M.A, M.M, M.S, S.R dhe A.B, të cilët sipas Prokurorisë Speciale, me dashje dhe në dijeni kanë marrë pjesë në veprimtarinë kriminale të një grupi të organizuar në të cilën ka marrë pjesë edhe i pandehuri L.Z, i cili gjendet në arrati.

Në njoftim thuhet se të pandehurit në territorin e Kosovës, gjatë vitit 2017, kanë pranuar të formojnë një grup të personave, me qëllim që t’i sjellin vetes përfitime pasurore dhe të cilët janë marrë me blerjen, transportin dhe shitjen e paautorizuar të narkotike të llojit marihuanë, për në shtetet e ndryshme të Europës.

Të pandehurit, me këto veprime kanë kryer veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me veprën penale  blerje, posedim, shpërndarje të pa autorizuar e narkotikëve dhe substancave psiko –tropike dhe analoge.