Cili zyrtar akuzohet se aplikoi për subvencione për vete në emër të axhës së tij për pronën e dajës së tij?

Prokuroria ka bërë të ditur më 18.04.2024 se ka ngritur aktakuzë ndaj 18 personave të përfshirë në rastin me subvencione të Ministrisë së Bujqësisë në komunën e Istogut.

Nga këta 18 persona, 11 prej tyre Prokuroria ka njoftuar se janë persona zyrtarë ndaj të cilëve rëndojnë akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti e mashtrim në detyrë.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, personat zyrtarë të akuzuar në këtë rast janë: Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Sadat Shkodra, Kushtrim Zogaj, Jeton Sylaj, Granit Lubeniqi, Adrian Ramqaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Bajram Gashi dhe Ramiz Ramosaj.

Kurse 7 fermerët e përfshirë në këtë rast janë: Arif Idrizaj, Dinë Zogaj, Shemsedin Metaj, Burim Shabanaj, Deli Metaj, Driton Alaj, dhe Besmir Bicaj.

Ndaj tyre rëndojnë akuza për vepra penale të mashtrimit me subvencione, dhënies së ryshfetit e ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të detyrës.

Dosja 222-faqëshe e Prokurorisë përshkruan se i akuzuari -zyrtar Hasan Maxharraj ka kryer veprën penale – marrje e ryshfetit, pasi sipas dosjes i njëjti kishte u pranuar subvencione të akuzuarve Shemsedin Metaj dhe Burim Shabanaj, duke vepruar në kundërshtim me detyrat e tij.

Ai akuzohet se ka përfituar shumën prej 3 mijë e 600 eurosh në emër të ryshfetit.

Këtë vepër penale ai akzuohet se e ka kyer nga 28.08.2020 e në vazhdimësi deri më 18.12.2020 në cilësinë e zyrtarit të lartë për politika bujqësore në Komunën e Istogut.

 “Shemsedin çdo vjet po të rrezojnë e po më dhimbesh, unë muj me të ndihmu që ti sivjet me fitu subvencionin…”– përshkruhet se i ka thënë i akuzuari Hasan Maxharraj të akuzuarit Shemsedin Metaj.

Përveç akuzave për marrje ryshfeti ndaj tij rëndojnë edhe akuza për keqpërodrim të detyrës zyrtare dhe sipas Prokurorisë i njëjti ka digjitalizuar dokumentacion të ofruar nga fermerët, i cili nuk kishte qenë i kompletuar.

“Fermerët kishin për obligim të siguronin kontratën për qira për tokën bujqësore, mirëpo të njëjtit nuk e kishin bërë një gjë të tillë, edhe përkundër kësaj, i pandehuri vepron në kundërshtim me nenin 39 par. 2 dhe 3 t’u caktoj një afat shtesë dhe t’u refuzoj aplikacionin por ai i dërgon këto dokumente në AZHB si të kompletuara ani pse nuk ishin kontratat për qira të pronës publike por ai duke qenë i vetëdijshëm u bënë edhe digjitalizimin dhe këtyre fermerëve u mundëson të përfitojnë shumën prej 5,310€ dhe kështu në këtë vlerë i shkakton edhe dëm buxhetit të Republikës së Kosovës” – përshkuhet në aktakuzë.

I akuzuari tjetër Luan Statovci akuzohet se si bashkëkryerës me të pandehurin Hasan Maxharraj kanë marrë ryshfet për t’ia aprovuar subvencionin Deli Metajt, i cili sipas Prokurorisë nuk i kishte plotësuar kushtet për përfitimin e subvencionit.

Ata akuzohen se veprën e kanë kryer gjatë muajit dhjetor të vitit 2020.

Tutje, i akuzuari Sadat Shkodra si zyrtar për pagesa direkte në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë akuzohet së si bashkëkryerës me të akuzuarin Luan Statovci ka kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit.

Kushtrim Zogaj akuzohet se në cilësinë e zyrtarit të lartë për politika bujqësore në Komunën e Istogut ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga data 12.07.2019 e në vazhdimësi gjer më 28.08.2020.

Ai akuzohet se ka aplikuar për subvencione për vete në emër të axhës së tij, Dinë Zogaj, për pronën e dajës së tij F.F. pa dijeninë e këtij të fundit, si dhe aplikime të tjera në emër të personave të tjerë, duke përfituar shumën mbi 22 mijë euro.

Përveç akuzave për keqpërdorim të detyrës zyrtare ai akuzohet edhe për dhënie ryshfeti dhe mashtrim me subvencione.

Jeton Sylaj akuzohet nga Prokuoria se në vitet 2019 dhe 2020 në Istog në cilësinë e zyrtarit në Drejtorinë për bujqësi në Komunën e Istogut kishte digjitalizuar aplikacione të 17 fermerëve të cilat sipas Prokurorisë nuk ishin të kompletuara- më saktë pa pasur leje të tokave.

Gjithashtu, Granit Lubeniqi akuzohet se kishte digjitalizuar aplikacionet  për 10 fermerë edhe pse nuk ishin kontratat për qira të pronës publike dhe për tokat të cilat nuk kishin pasur leje, sipas Prokurorisë.

Për keqpërdorim të detyrës zyrare akuzohet edhe Adrian Ramqaj në cilësinë e zyrtarit në Drejtorinë për Bujqësi në Komunën e Istogut për të cilin Prokuroria thotë se u kishte mundësuar 5 fermerëve që me aplikacione të pakompletuara të përfitojnë subvencione.

Tutje si inspektorë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë -Musa Nivokazi dhe Lulzim Hajdaraj akuzohen nga Prokuroria se kanë paraqitur të dhëna të pasakta me rastin e kryerjes së kontrollove te fermerët nga data 30.10.2020 e në vazhdimësi gjer më 27.11.2020.

Mbi ta rëndon akuza e mashtrimit në detyrë.

Njëjtë Prokuroria akuzon edhe inspektorët e tjerë në këtë Agjenci, Bajram Gashi dhe Ramiz Ramosaj, për këtë vepër penale.

Ndërsa, këto janë veprat penale për të cilat akuzohen 7 fermerët: Dinë Zogaj dhe Arif Idrizaj – ndihma në kryerjen e veprës penale keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar; Shemsedin Metaj – dhënia e ryshfetit, dhe mashtrimi me subvencione; Burim Shabanaj – dhënia e ryshfetit, dhe mashtrimi me subvencione; Deli Metaj – dhënia e ryshfetit, dhe mashtrimi me subvencione; Driton Alaj – mashtrimi me subvencione, dhe Besmir Bicaj – mashtrimi me subvencione.

Sipas Prokurorisë, dëmi i shkaktuar buxhetit në këtë rast është rreth 100 mijë euro kurse vlera e parave të përfituara përmes marrjes së ryshfetit është rreth 17 mijë euro.