AGK Kërkon Trajtim të Sulmeve ndaj Gazetarëve

Përfaqësuesit e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës në një takim me drejtorin e përgjithshëm të policisë Shpend Maxhuni, i kërkuan atij që rastet e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve të trajtohen me prioritet nga forcat e rendit.

Në dhjetor të vitit të kaluar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës paraqiti një publikim për lirinë e medieve dhe sigurinë e gazetarëve nga i cili doli se nga viti 2014 deri në tetor të 2016-ës janë sulmuar ose kërcënuar 43 gazetarë.

Këtë raport, sipas një komunikate të AGK-së kryetari i bordit të këtij asociacioni ia paraqiti Shpend Maxhunit.

“Hysenaj kërkoi nga drejtori Maxhuni që Policia e Kosovës t’i trajtojë me prioritet rastet e sulmeve apo kanosjeve ndaj gazetarëve dhe për të njëjtat të bashkëpunojë me organet e drejtësisë”, thuhet në komunikatën e AGK-së.

Sipas komunikatës, përfaqësuesit e AGK-së dhe Shpend Maxhuni u dakorduan që të rritet bashkëpunimi mes policisë dhe medieve.

Përfaqësues të asociacionit dhe kreu i policisë diskutuan edhe për trajtimin nga policia të kërcënimeve që gazetarëve u vijnë nga rrjetet sociale.

“Duke iu referuar shifrave zyrtare, Maxhuni theksoi se policia ka qenë mjaft efektive në trajtimin e rasteve kur gazetarët janë viktimë e sulmeve, kërcënimeve apo kanosjeve si pasojë e punës së tyre profesionale qe bëjnë”, thuhet në komunikatën e AGK-së.

Më 10 mars kryeprokurori Aleksandër Lumezi caktoi prokurorin Besim Kelmendi për t’u marrë me rastet e kërcënimeve ndaj gazetarëve.

http://kallxo.com/gazetaret-prokuror-te-vecante-qe-heton-kercenimet/

Përfaqësues të AGK-së u takuan më 17 mars edhe me kryetaren e Gjykatës Themelore në Prishtinë Afërdita Bytyqi nga e cila kërkuan që të trajtohen më shpejt lëndët e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve.

http://kallxo.com/agk-kerkon-te-trajtohen-lendet-e-kercenimit-te-gazetareve/

Në shkurt të këtij viti për sigurinë e gazetarëve gjatë kryerjes së punës së tyre u diskutua edhe në Emisionin “Jeta në Kosovë”.

http://kallxo.com/jeta-ne-kosove-sonte-per-pasigurine-e-gazetareve/