7 Vjet Burg për Vrasjen në Mal

Nikollë Shyti u dënua me 7 vjet burg për vrasjen nën tronditje të thellë mendore të Sokol Nrecajt me një fishek të shkrepur nga pushka automatike.

Shpalljen e vendimit për dënimin e Nikollë Shytit e bëri trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Gjakovë, i drejtuar nga gjyqtari Gëzim Pozhegu.

“Gjykata veç e veç i shqipton dënimet për vepër penale si në dispozitivin e parë të aktakuzës-dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 vjetësh. Për veprën penale në pikën e dytë të dispozitivit të aktakuzës dënim me burgim 1 vjet. Për veprën penale në pikën 3 të dispozitivit të aktakuzës dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti. Gjykata i përcakton dënim unik prej 7 vjetëve. Në këtë dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim,” tha Gëzim Pozhegu.

Nikollë Shyti akuzohej për vrasje në gjendje të tronditjes së thellë mendore, armëmbajtje pa leje dhe lëndime të lehta trupore.

Gjykata në Gjakovë e liroi Pren Shytin, vëllanë e të dënuarit Nikollë Shyti nga akuza për përdorim të armës, ose mjetit të rrezikshëm.

“I akuzuari Pren Shyti lirohet nga aktakuza se me datën e njëjtë, pikën e njëjtë të kësaj aktakuze përdori armën në mënyrë kërcënuese dhe frikësuese dhe atë pistoletën e markës së panjohur,” tha gjyqtari Pozhegu.

Nikollë Shyti akuzohej për vrasjen e Sokol Nrecajt më 11 mars 2013 te vendi i quajtur “Lugu i Keq” në Fshatin Moglicë të Gjakovës.

Sipas aktakuzës, Nikollë Shyti pasi i kishte parë duke prerë dru Sokol Nrecajn dhe djalin e tij Jozefin i kishte urdhëruar ata ta ndalojnë prerjen dhe të gjunjëzohen. Pastaj e kishte goditur me tytë automatiku Jozefin, ndërsa më pas Sokol Nrecajn e kishte qëlluar në kraharor.

Në aktakuzë thuhet se pas shkrepjes së predhave në drejtim të Sokol Nrecajt, Nikollë Shyti me vëllanë e tij Prenin e kishin vendosur të vrarin në qerre, duke e urdhëruar djalin e tij Jozef Nrecaj të niset drejt fshatit Pjetërshan.

KALLXO.com shkroi edhe më herët për këtë gjykim.

http://kallxo.com/prokurori-zbut-akuzen-per-vrasjen-ne-mal/

http://kallxo.com/te-akuzuarit-rrefejne-per-vrasjen-ne-mal/