Foto: KALLXO.com

'Lufta' me armë në Krushë të Madhe, gjykata vendos për të dyshuarit

Gjykata Themelore e Gjakovës u ka caktuar nga një muaj paraburgim katër të pandehurve në rastin që ndodhi më 24.02.2024 në Krushë të Madhe të Rahovecit.

70 gëzhoja plumbash u gjetën në oborr, e disa prej tyre edhe brenda shtëpisë së qytetarit Bashkim Duraku.

KALLXO.com raportoi nga vendi i ngjarjes, duke treguar detaje për konfrontimin me armë mes të dyja palëve, të përfshira në rast.

Në njoftimin e 28.02.2024 të Gjykatës në Gjakovë është thënë se është aprovuar kërkesa e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i’u caktuar masën e paraburgimit prej një muaj katër të pandehurve A.H., Ç.M., B.D. dhe B.D.(1).

Ky vendim ndaj të pandehurve u mor për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale të vrasjes të mbetur ne tentativë dhe mbajtjes në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve.

Në njoftim të gjykatës është thënë se sipas kërkesës së Prokurorisë, të pandehurit A.H. dhe Ç.M., më datën 24.02.2024, në fshatin Krushë e Madhe me dashje kanë tentuar të privojnë nga jeta të dëmtuarit B.D. dhe B.D.(1).

“Natën kritike rreth orës 23:00h të pandehurit A.H. dhe Ç.M kishin shkuar të pajisur me armë tek shtëpia e të dëmtuarve B.D dhe B.D.(1), ku me vete kishin armë të llojit të panjohur N.N, ashtu që pasi të njëjtit janë vërejtur nga ana e të dëmtuarve kanë gjuajtur disa herë në drejtim të tyre duke iu shkaktuar lëndime trupore gjendje kjo e konstatuar nga raporti mjekësor i QKMF-së Rahovec” – ka thënë Gjykata.

Gjithmonë duke iu referuar gjykatës, të pandehurit më pas kanë ikur në drejtim të panjohur deri kur janë paraqitur për ndihmë të parë në Spitalin Rajonal të Prizrenit për shkak të lëndimeve të marra trupore.

Gjykata ka thënë se po ashtu në kohën dhe vendin e njëjtë i pandehuri B.D. me dashje kanë tentuar të privojnë nga jeta të dëmtuarit A.H. dhe Ç.M..

“B.D. me t’i vërejtur në rrugë menjëherë e njofton vëllain e tij B.D.(1), dhe nga shtëpia ka gjuajtur me armë të tipit AK-47 shumë herë duke i shkaktuar lëndime trupore tek i dëmtuari A. H., ndërsa B.D.(1), sapo ishte informuar nga vëllai i tij B.D., kishte marrë veturën duke dal në një rrugë tjetër dhe ka gjuajtur jashtë veturës me armën e tipit M-57, në drejtim të të dëmtuarve, duke shkaktuar kështu lëndime trupore, siç është konstatuar nga raporti mjekësor i Spitalit Rajonal të Prizrenit” – vazhdohet tutje në njoftimin e Gjykatës, që i referohet kërkesës së Prokurorisë.

Tutje u tha se gjyqtari i procedurës paraprake Sulltan Dobraj, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe shqyrtimit të shkresave të lëndës, më 26.02.2024 ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të pandehurve Ç.M., B.D. dhe B.D.(1), pasi caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.

Gjykata theksoi se më 27.02.2024, pas mbajtjes së seancës dëgjimore në ambientet e Spitalit Rajonal të Prizrenit, për të pandehurin A.H., i cili ndodhet i shtrirë, po ashtu ka caktuar masën e paraburgimit.

“Për shkak të plagëve të marra nga armët e zjarrit më 24.02.2024, ai do të qëndrojë në spital deri sa mjekët të vlerësojnë se gjendja e tij shëndetësore është e përshtatshme për të dërguar në qendrën e paraburgimit” – tha gjykata.

Gjithashtu u theksua se në këtë periudhë, oficerët korrektues do ta mbajnë nën përkujdesje të tyre, e se palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Selami Duraku, familjar i Bashkimit, në një rrëfim për KALLXO.com pretendon se persona të panjohur tentuan të kryenin grabitje të armatosur. Por, kjo nuk ndodhi për shkak se familjarët dhe grabitësit e dyshuar u përleshën me armë zjarri.

Rasti fillimisht në raport policor ishte njoftuar se është iniciuar si grabitje në tentativë, mirëpo rasti tashmë po hetohet si vrasje në tentativë, dhe armëmbajtje pa leje.

Rrëfimi për “luftën” mes grabitësve dhe banorëve të Krushës së Madhe