VIDEO - Beteja e mërgimtarit në gjykatat e Kosovës

Vllaznim Beqiri është një mërgimtar nga Kosova që jeton në Gjermani që nga vitet e ’90-ta. Mllefi i tij që u krijua pas betejave të shumta gjyqësore, për dy banesa që thotë se i kishte ndërtuar nga kursimet, nga puna shumëvjeçare në mërgim.

Beqiri në vitin 2018 kishte hapur një kompani të ndërtimtarisë bashkë me dy persona të tjerë, me anë të së cilit planifikonin që të ndërtonin një objekt shumëkatësh banesor në Gjakovë.

Por me njërin nga ortakët më vonë, ai thotë se i kishin lindur mosmarrëveshjet. Ai kishte nënshkruar një marrëveshje paraprake me njërin nga ortakët e biznesit, përmes së cilës marrëveshje ishte përcaktuar se sa dhe cilat banesa do t’i takonin atij.

“Mosmarrëveshja me Dioxhen Ibrahimi ka lindur në vitin 2020, kurse në vitin 2018 e kemi hapur veprimtarinë e përbashkët për ndërtim ‘District SHPK’. Në vitin 2020 kam marrë vesh, pasi që jam ardhë, sepse më nxuni pandemia në Gjakovë që Dioxhen Ibrahimi e ka ndryshuar dokumentacionin e ‘SHPK-së’ dhe e ka hapur veprimtari të vetën ‘District Apartment SHPK’,  ku nuk jam kanë në ngjarje, prej fillimit të ndërtimit deri në vitin 2020” – thotë Beqiri.

“Pasi që e mora vesh që e ka bo këtë gabim, u ula dhe biseduam me të për punë të aseteve dhe investimit tim që kam investu aty.  Tre pronarë kemi qenë, siç është e dokumentuar në dokument.Unë kam investuar komplet atë apartament që është ndërtuar, me 32 banesa”.

Vllaznim Beqiri thotë se prej marrëveshjes fillestare me Dioxhen Ibrahimin, ai ka mbetur pa i marrë në posedim dy banesa. Sipas tij, Dioxhen Ibrahimi i ka uzurpuar pa të drejtë banesat.

“Unë jam mbet pa dy banesa për momentin, ku janë të uzurpuara nga Dioxhen Ibrahimi. Jemi shku në Gjykatë, kur jemi shku në Gjykatë, u mbajt gjykata dhe është deklaruar për të gjitha banesat dhe parkingjet, mirëpo për këto dy banesa nuk është deklaruar. Mirëpo gjykata vendosiqë me m’i kthy meniher”.

Në anën tjetër, Dioxhen Ibrahimi nuk ka pranuar të deklarohet për KALLXO.com, në lidhje me pretendimet e Vllaznim Beqirit. Ai ka thënë se tashmë kjo çështje i takon Gjykatës.

Jo, jemi në procedurë gjyqësore, vendosë gjykata. Nuk kam çka me jap unë deklaratë. Jo, jo as avokati. Gjykata ka vendosë, Apeli ka vendosur, Supremja.. Nuk kisha diskutu unë për atë punë.

Edhe avokati i Ibrahimit, Burhan Shabanaj ka refuzuar të komentojë, duke thënë se nuk përbën interes publik për komentim shtesë, përveç parashtrimeve dhe deklarimeve në procedurën gjyqësore.

Gjykata e Apelit, në vendimin e datës 28 shtator 2023, i ka dhënë të drejtë për posedim Vllaznim Beqirit vetëm për njërën prej banesave. Për tjetrën, sipas vendimit, nuk është pranuar padia, për shkak se sipas Gjykatës, është tejkaluar afati prej 30 ditësh prej kur e ka kuptuar Vllaznim Beqiri se i është bërë pengimi në posedim të banesës.

Për njërën prej banesave, Gjykata e Apelit ka urdhëruar Dioxhen Ibrahimin që brenda 7 ditëve të lirojë atë, por një gjë e tillë sipas Vllaznim Beqirit, nuk është bërë. Ndërsa për banesën tjetër, avokati i Beqirit, Agim Muhaxheri, ka bërë propozim në Gjykatën Supreme që të përsëritet procedura në Gjykatën e Apelit, pasi që kanë konsideruar se pretendimi se ka pasur tejkalim të afatit për dorëzimin e padisë, nuk është i vërtetë.