Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Huqja e avokatit të Mimoza Kusari - Lilës pamundësoi vazhdimin e gjykimit mes saj dhe Ardian Gjinit
Për shkak se avokati i Mimoza Kusari – Lilës ka ngatërruar lëndë, është shtyrë seanca gjyqësore e cila ishte paraparë të mbahej të entjen në Gjykatën Themelore të Gjakovës.
Në këtë rast gjyqësor, Ardian Gjini është paditur për shpifje nga Mimoza Kusari – Lila.
Avokati Faton Qerezi para gjyqtarit Durim Balaj tha se nga klientja e tij ka marrë një tjetër lëndë, e cila është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.
“Unë nga pala e kam marrë lëndën e cila është kthyer në rigjykim me aktvendimin e Gjykatës së Apelit dhe nuk e kam marrë nga pala padinë. Sot nuk mundem me u deklaru, duhet nga pala me i marrë shkresat e lëndës edhe kërkoj nga gjykata që ta shtyjë këtë seancë” – tha avokati Qerezi.
Kjo seancë u mbajt sot në Gjykatën e Gjakovës dhe ka të bëjë me padinë për shpifje të deputetes Mimoza Kusari – Lila, kundër kryetarit të Gjakovës Ardian Gjini, në vitin 2017.
Që nga atëherë, kjo është seanca e parë që u mbajt në lidhje me këtë padi.
Pas kërkesë së avokatit të Kusari – Lilës, gjyqtari Durim Balaj vendosi që kjo senacë të shtyhet dhe ajo e radhës të mbahet me 21 shkurt 2024 në ora 09:00.