Pse familjarët e të zhdukurve duhet t'i japin mostrat e ADN-së edhe pa gjetjen e trupave  

Pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, hetimi dhe zbulimi i varrezave masive të personave të zhdukur me forcë është kryer nga UNMIK-u, pastaj erdhi misioni i sundimit të ligjit në Kosovë EULEX, i cili filloi t’i hetonte këto krime dhe tani me hetimin e krimeve të luftës janë duke u marrë institucionet e Kosovës.

Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë ndërtuar grupe hetimore të cilat gjurmojnë të dhënat për varreza ku dyshohet se janë trupat e personave të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Vazhdimisht nga paslufta ka pasur marrje të mostrave të ADN-së të cilat janë bërë përmes Institutit të Mjekësisë Ligjore – IML. Të gjitha këto të dhëna janë të vendosura në databazën e Institutit dhe shfrytëzohen sa herë që paraqitet ndonjë gjetje eshtërore, mirëpo në mungesë të tyre vështirësohet puna për identifikimin e gjetjeve mortore.

Kjo është arsyeja kryesore që institucionet bëjnë thirrje se cilado familje, pa marrë parasysh nacionalitetin, duhet t’i dorëzojë mostrën e ADN-së, mostrën e gjakut tek organet përkatëse.

Ilir Morina, udhëheqës i Departamentit për Hetimin e Krimeve të Luftës në Prokurorinë Speciale të Kosovës, thotë që fatkeqësisht ka ende familje që hezitojnë të japin gjakun për testin e ADN-së.

“Është shumë e rëndësishme që familjarët të cilët kanë persona të zhdukur të ofrojnë mostrën e ADN-së tek organet përkatëse. Fatkeqësisht në kohën e fundit kemi pasë sfida në këtë drejtim. Kemi dy-tre raste të cilat kemi hasur në rezistencën e familjarëve, ose qytetarëve që të ofrojnë këtë mostër dhe kjo na vështirëson neve punën shumë.” – tha Morina për KALLXO.com

Ai u bën me dije të gjithë qytetarëve që është shumë e rëndësishme që ta ofrojnë mostrën e ADN-së.

“Një rast të tillë kemi pas në regjionin e Pejës, për 25 vjet familjarët kanë mendu që i kanë të varrosur të dashurit e tyre në vendin ku ata kanë mendu dhe në momentin që kemi bërë analizat përmes mostrës së ADN-së është dashtë t’i ndërrojmë vendlokacionet e viktimave, për shkak se personi X ka qenë jo i identifikuar në formë të rregullt dhe për këtë është shumë me rëndësi procesi i identifikimit.” – thotë Morina.

Dhënia e mostrave të ADN-së nga familjarët që kanë persona të zhdukur me forcë është shumë me rëndësi që mostrat të jepen paraprakisht, jo vetëm në momentin kur ka gjetje të trupave në regjionin e caktuar.

“Mjekësia ligjore dhe institucionet e tjera kanë databazë për ruajtjen e mostrave, prandaj çdo mostër që jepet më herët ruhet në Sistemin e brendshëm dhe është e gatshme për përpunim. Në momentin që bëhet një gjetje në një lokacion të caktuar ajo gjetje krahasohet me të gjitha ato mostra, që neve veç i kemi në Sistem të ruajtur.” – thekson Prokurori Special.

Mosdhënia e mostrave nga familjarët pamundëson edhe procesin e identifikimit të mbetjeve, që mund të ndodhen në vende të tjera, jo vetëm në Kosovë.

“Është shumë e rëndësishme që këto të dhëna të futen në Sistem. Sepse, komunikimi jonë nuk është vetëm brenda Kosovës, por është edhe jashtë Kosovës. Në raste të caktuara viktimat kanë mundur të hedhen në lumin Drini i Bardhë dhe Drini ka mundur t’i bartë në territorin e Shqipërisë, ose një situatë tjetër që mund të ndodhë me Malin e Zi, me të cilët kemi bashkëpunim shumë të mirë. Shumë me rëndësi që ne t’i kemi të dhënat në Sistem dhe pastaj gjatë hulumtimit me këto vende dhe brenda Kosovës të bëjmë identifikimin sa më lehtë.” – thekson Morina.

Në Kosovë ka pasur edhe raste kur janë bërë zhvarrime të mbetjeve dhe atyre mbetjeve kur i është bërë identifikimi me metodën e ADN-së ka pasur mospërputhje me metodën e identifikimit që kishte ndodhur me metodat tradicionale.

“Ne kemi pasë rast të zhvarrosjes ku është bërë identifikimi përmes metodave konvencionale në bazë të teshave (rrobave) që ka pasë viktima, apo një shenjë tjetër në momentin që kemi bë identifikimin përmes ADN-së është identifiku se ai trup nuk i takon familjes X, por i takon familjes Y, apo ato gjetje nuk i takojnë periudhës së luftës, por i takojnë një periudhe të mëhershme. Prandaj, të gjitha këto kanë rëndësi edhe për hetimin e krimeve të luftës në përgjithësi, edhe për identifikimin e të zhdukurve, por edhe për ofrimin e eshtrave për familjarët e tyre.” – thekson prokurori Morina.

Aktualisht sipas Komisionit Qeveritar për Të Pagjeturit në Kosovë janë edhe 1,577 persona të cilët konsiderohen të zhdukur nga lufta e fundit.