Dokumentar - Rrëfimet për të zhdukurit në rajonin e Gjakovës - DIREKT

Lufta e Kosovës do të linte pas mijëra viktima dhe bashkë me to mijëra histori tragjike të zhdukjes së njerëzve.

Që nga maji i vitit 1998, strategjia për fshehjen dhe zhdukjen e trupave të viktimave do të zbatohej në mënyrën më brutale në Gjakovë, Rahovec dhe Malishevë.

Këto tri komuna do të përjetonin vrasje masive dhe, paralelisht me to, edhe zhdukjen sistematike të viktimave.

I hartuar dhe i implementuar nga strukturat më të larta të ushtrisë dhe policisë së ish-Jugosllavisë, plani “nuk ka krim pa viktima” do të merrte formë konkrete pas masakrave në Mejë, Gjakovë, Krushë të Madhe dhe Pastasel.

Viktimat fillimisht do të ekzekutoheshin, ndërsa më pas trupat e tyre do të zhdukeshin, me qëllim që gjurmët e krimit të fshiheshin përgjithmonë.

Në të njëjtën kohë, në Rahovec dhe në disa fshatra serbe të kësaj zone do të dokumentoheshin raste të vrasjeve, zhdukjeve dhe varrosjeve të civilëve.

Krimet ndaj civilëve në këtë rajon do të preknin të gjitha etnitë, duke e bërë luftën një plagë të përbashkët të njerëzimit.

Njëzet e shtatë vite pas përfundimit të luftës, familjet e personave të zhdukur vazhdojnë ende betejën për të vërtetën dhe drejtësinë.

Në mbarë territorin e Kosovës, statistikat dëshmojnë se rreth 10% e viktimave shqiptare janë zbuluar të varrosura në varreza masive në Serbi, ndërsa mbi 12% e viktimave të luftës vazhdojnë ende të figurojnë të zhdukura.

Kjo mbetet një nga plagët më të rënda të pasluftës në Kosovë — një histori dhimbjeje, heshtjeje dhe kërkimi të pandërprerë për të vërtetën.

Luljeta Sharani nga Gjakova, të cilës në maj të vitit 1999 iu vranë dhe zhdukën burri Skenderi dhe dy djemtë e saj, Valoni e Visari, rrëfen se si filloi tragjedia e dhimbshme e familjes së saj.

Ajo tregon se përveç burrit dhe dy djemve, forcat serbe ia kishin vrarë edhe tre kunetët.

“Na hyri ushtria më 9 maj, edhe ata na maltretuan në mënyra e forma të ndryshme, prej orës 17:00 pasdite deri në 23:00 të darkës, atë natë, me maltretime të ndryshme. Ku na ngujuan në bodrum, na larguan në oborr, na qitën në sokak, na qitën në rrugë, me shty përtokë, me duar për mur edhe aty maltretime të ndryshme” – rrëfen Luljeta.

“Atëherë hyri policia. Ne edhe po u thonë mos… kur hynë, hynë një numër i madh. Qaq me mjeshtëri u pozicionuan, të gjithë i renditën ata këtu. Atëherë veç filluan me tytat e ‘Kallashnikovëve”, me shkelma neve na larguan, na nxorën jashtë e i ndalën 11 meshkuj. Gjashtë të familjes Sharani, katër të familjes Saraqini, edhe një Berisha”.

Nuhi Krasniqi nga fshati Pastasel i Rahovecit tregon për masakrën në fshatin e tij që ka ndodhur me 31 mars të vitit 1999.

Sipas tij, atë ditë kanë qenë rreth 7 mijë persona që janë strehuar në afërsi të shkollës së fshatit.

“Kjo masakër ka ndodhur më 31 mars të vitit 1999. Atë ditë i kanë ndarë meshkujt prej femrave. Këtu kanë qenë 7-8 mijë vetë në shkollë, ku ka qenë vendi. Gratë dhe fëmijët i kanë plaçkitur edhe iu kanë dhënë rrugën “shkoni për Shqipëri”. Burrat, kryesisht burrat se femrat nuk janë vrarë, i kanë ndalë, por kemi prej moshës 14-vjeçare deri në moshën 90-vjeçare të vrarë” – rrëfen Nuhiu.

“Derisa kanë shku te vrasja i kanë rrehë, i kanë maltretu, i kanë sha, gjithçka ju kanë bërë, si ata që kanë ditë. Të gjithë këta, rreth 120, se 106 janë, por nja 13 kanë shpëtuar prapë. I kanë ndarë në katër grupe edhe i kanë pushkatu. Diku mbasdite, rreth orës tre-katër, është ky përroi këtu në shkollë që ne e quajmë “Përroi i Zylës”. Derisa aty pra i kanë pushkatu te katër grupet”.

Në dëshmitë e dëshmitarëve dhe dokumentet gjyqësore, në zonën e Gjakovës dokumentohen veprime të organizuara për zhdukjen e trupave të viktimave.

Të vrarët e qytetit të Gjakovës, të vrarët e masakrës së Mejës, të vrarët e Krushës së Madhe dhe ata të Pastaselit, dokumentohet se u dogjën, u zhvendosën në varresa masive në Kosovë, si dhe në varreza masive në Serbi.

Ditor Haliti nga Instituti i Mjekësisë Ligjore thot se të vrarët në rajonin e Gjakovës një numër i caktuar janë gjetur në fshatin Bishtazhin të kësaj komune, e një numër tjetër janë gjetur në Batajnicë të Serbisë.

“Dhe po e them këtë sepse prapë një pjesë e këtyre pra janë dërguar në varrezat sekondare masive në Serbi. E dimë të gjithë edhe masakrën më të madhe që ka ndodhur në Kosovë, masakrën e Mejës, dhe e dimë që një numër i madh i tyre janë dërguar në Batajnicë, gjithashtu dhe një numër i caktuar i tyre janë identifikuar dhe riatdhesuar, mirëpo prapë ende kemi persona nga lista e personave të zhdukur që rezultojnë nga kjo masakër dhe për të cilët prapë ne mendojmë se duhet t’i kërkojmë dhe t’i gjejmë në territorin serb” – thot Haliti.

Luljeta Sharani vazhdon rrëfimin e saj duke treguar se pas luftës, ajo bashkë me dhjetëra nëna të tjera kanë organizuar protesta, me qëllimin për të bërë presion tek ndërkombëtarët dhe vendorët për zbardhjen e fatit të të zhdukurve të luftës.

“Po na pa u ndalë me protesta… edhe më 23 dhjetor 2003 filluan me i pru, me i kthy arkivolet, trupat. Në grupin e parë ka qenë kunati, Tahir Sharani. Më 23 dhjetor 2003, veç grupi i parë me edhe 14-15 të tjerë nëpër arkivole edhe u bë rivarrimi në Kodrën e Çabratit. Atëherë pas nja katër muajve, më 18 prill 2004 i kthyen grupin e dytë: Skënderi në atë grup ishte, Mentori, Isufi edhe numër tjetër, prapë edhe aty nja 15-16 ishin” – tregon Luljeta.

“Akoma nuk u dihej për Valonin e Visarin edhe tri vjet u desh protesta, nëna me mos me u ndalë, si gjithë familjarët tjerë. Më 15 janar 2007 m’i kthyen Valonin e Visarin. Po 15 janarin e kam shumë të vështirë se është ditëlindja e Visarit”.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare tregon një rast ku një person të moshuar nga Gjakova, i cili e kishte djalin të zhdukur, e kishin mashtruar duke i kërkuar para me pretendimin për ta dërguar te djali i tij.

Sipas Blakajt, atij disa herë i kishin marrë shuma të mëdha parash.

“Dhe radhazi disa herë i kishin marrë shuma të mëdha parash, në fakt në atë kohë janë diku rreth 80,000 marka gjermane. Po të them është e rëndë me e thënë, po për fat të mirë mbas ndoshta një viti u identifikua trupi i birit të tij, edhe për këtë rast Fondi për të Drejtën Humanitare ka bërë një kallëzim penal edhe ka pasur një rast gjyqësor në Mal të Zi, sepse përfituesi kryesor kishte qenë nga Mali i Zi, edhe është kërkuar që t’i kthejë mjetet, mirëpo i ka kthyer disa mjete të pakta, ndoshta 10% edhe aq” – ka thënë Blakaj.

“Malazez ka qenë, ndërsa ndërmjetësuesi ka qenë shqiptar. Ndërmjetësuesi i cili e ka bërë komunikimin. Mashtrimi ka shkuar aq larg sa shpesh e kanë marrë, e kanë vozitur nëpër Mal të Zi, e kanë dërguar në disa pjesë, i kanë thënë: “Ja, në këtë objekt atje është djali yt po që tash s’po mundemi se s’kemi njeriun tonë aty” e kështu me radhë. Domethënë skenarët kanë qenë të tmerrshëm, të mashtrimit”.

Në fund të kësaj historie mbetet një e vërtetë e papërfunduar: rreth 379 persona nga Gjakova, Rahoveci dhe Malisheva vazhdojnë të jenë të zhdukur.

Pas çdo numri qëndrojnë familje që ende jetojnë me mungesën, me pritjen dhe me një dhimbje që nuk është shuar as pas më shumë se dy dekadash.

Mijëra familjarë vazhdojnë të përballen me pasojat e krimeve, duke e bartur traumën në përditshmërinë e tyre dhe shpesh edhe në brezat që kanë lindur pas luftës.